Veton Surroi: UÇK nuk ishte ushtri çlirimtare

Publicisti Veton Surroi thotë se UÇK nuk ishte ushtri çlirimtare. Në emisionin “Rubikon” të KTV’së ai ka thënë se “kjo ushtri guerile” u çlirua nga Serbia “ashtu siç u çliruam ne civilët”.

“Debati që është zhvilluar në Parlament, mos u ktheni shumë prapa. Sot pranohen si veteran ata që kanë shërbyer në një organizatë guerile siç ka qenë UÇK, por nuk pranohen ata të organizatës tjetër guerile që quhet FARK. Ky konflikt ka ndodhur në vitin 99. Nuk ka nevojë shumë për elaborim, UÇK është çliruar nga Serbia ashtu siç jemi çliruar ne civilët”, ka thënë Surroi.

Surroi: Thaçi në Rambuje ishte i padijshëm

Ai ka thënë se kjo Kushtetutë nuk është dashur të refuzohej, por do të kishte qenë mirë të mos sillej ajo Kushtetutë fare në tryezë, por të krijohej një më e mirë që në start.

Surroi ka thënë se është dashur që menjëherë pas luftës të shpalosej një flamur i përkohshëm, e pranuan e se pranuan ndërkombëtarët, e më pastaj të vendosej për një flamur të përhershëm.

Publicisti Veton Surroi thotë se UÇK-ja nuk ka qenë ushtri, por një grup i armatosur. “UÇK-ja nuk e ka çliruar Kosovën, por trupat tokësore të NATO-s”, ka thënë mes tjerash Surroi.

Arsyeja pse është thënë se UÇK-ja e çliroi Kosovën është se sipas Surroit, legjitimiteti i pushtetit të vendosur pas luftës duhej t’i përkiste çlirimtarëve apo padronëve të luftës.

Surroi ka thënë se Adem Jashari ka qenë ushtar i Ibrahim Rugovës, ndërsa ka theksuar se Aeroporti i Prishtinës më mirë do kishte qenë të quhej “Ibrahim Rugova”, pasi ai ka fluturuar shumë, ndërsa autostrada e Kombit të quhej “Adem Jashari”.

Ai foli edhe për prapaskenat e shtetndërtimit dhe rrugën deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës si dhe për zhvillimet e fundit politike dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme.

“Debati në Rambuje ishte për të krijuar një koncenzus. Ne nuk njiheshim mes vete dhe unë propozova një formulë që i bashkonim të gjithë. Me këtë krijoi një mirëbesim sepse ekzistonte një dyshim mes grupeve të ndryshme dhe me koncensusin atëherë e lejoi këtë punë. Një pjesë e delegacionit nuk ishte e interesuar për koncensus por si të zhvendosej Rugova nga roli i liderit dhe në vend të tij të ishte dikush tjetër. Pra ishte luftë në pushtet”, ka thënë Surroi.

Sipas tij, Hashim Thaçi është zbutur nga qëndrimi i tij në Rambuje pasi i ishte thënë se do të shkruhet një skenar për luftën e UÇK-së.

Unë e them, mënyra se si u qetësua z. Thaçi dhe u largua nga roli i tij pengues në Rambuje ka qenë biseda e tij me z. Rubin ku ai i tregon se e ka një mik në Hollywood dhe ai mund të shkruajë një skenar për UÇK-në Në rambuje kam propozuar një formulë që do të pajtoheshim të gjithë me të. Edhe në Rambuje ishte luftë për pushtet”, ka thënë ai.

“Ishte një mosdituri e Zotit Thaçi, një djalë i ri që nuk dinte shumë. Për Bashkësinë Ndërkombëtare nuk ka qenë e lehtë. Thaçi pasluftës është mundur të krijojë një raport të mirë me ndërkombëtarët”, ka thënë Surroi.

“Në vitin 2000 kam qenë në Uashington për të biseduar në departamentin e Shtetit që Kosova ta ketë Kushtetutën e vet, pasi që Rezoluta 1244 nuk e ka penguar Kosovën ta ketë Kushtetutën e vet. Pas një pauze shumë të gjatë, me këtë iniciativë është kthyer Hans Hakerup dhe u ul e shkroi një Kushtetutë që ishte në diskontinuitet me hapësirën më të vogël të të drejtave se ç’kishte Kushtetuta e 1974. Kushtetuta e 74 ka pasur Ministrinë e Punëve të Jashtme, dhe qëllojani kush ka qenë Ministër i asaj kohe? Ukshin Hoti”, ka thënë Surroi.

Surroi: Për interesa të të afërmve të kryeministrit, sot nuk jemi pjesë e Kartonit të Gjelbër

“Kartoni i Gjelbër ka mundur të rregullohej më 1999 me angazhimin e UNMIK-ut. Por deri më sot, profiterët kanë marrë mbi 200 milionë euro nga diaspora, e sot thonë se tash mundemi të jemi pjesë e Kartonit të Gjelbër pasi kemi zhvilluar negociata në Bruksel”, ka thënë Surroi, duke shtuar se kjo punë nuk po ndodhë për shkak të këtyre bisedimeve.

“Kemi mundur ta kemi kodin e telefonit, prapashtesën e internetit, por kanë qenë interesa të të afërmve të kryeministrit”, u shpreh Surroi.

Surroi: Islamizmi politik, strukturë anti-evropiane

“Islamizmi politik, ashtu siç edhe nuk e përfaqëson kjo strukturë e elitës politike që e ka zaptu shtetin, ashtu islamizmi politik nuk e përfaqëson islamin dhe besimin tradicional islam në Kosovë. Islami në Kosovë ka qenë tolerant dhe pjesë e të gjitha lëvizjeve politike. Besimtari islam ka qenë aktiv në ndërtimin e shtetit të Kosovës. Islamizmi politik po përdoret për qëllime tjera për të sjellë vlera që nuk kanë kompatibilitet në këtë shoqëri. Njeriu që identifikohet me këtë strukturë, imami Krasniqi, qartazi artikulon mendimin e kësaj strukture anti-evropiane”, ka thënë Surroi.

“Islamizmi politik është një lëvizje e kufizuar, por aktive dhe në formën e vet të paraqitjes edhe të dhunshme”, ka shtuar ai.