Veton Surroi përflitet si kandidat i Kosovës për Sekretar të Përgjithshëm të Këshillit Rajonal për Bashkëpunim

Publicisti Veton Surroi është kandidat potencial i Kosovës për Sekretar të Përgjithshëm të Këshillit Rajonal për Bashkëpunim.

Kështu thonë burime të portalit serb në Kosovë, “Kosovo Online”, duke iu referuar burimeve diplomatike dhe një shkrese të Qeverisë në të cilën ata kanë qasje.

“Qeveria e Kosovës i ofron mbështetje të plotë Surroit dhe është e bindur se ai është personi i duhur që mund të vazhdojë vizionin e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal dhe do të vlerësonte lartë mbështetjen e rëndësishme të Qeverisë së Bosnjës e Hercegovinës për kandidaturën e Veton Surroit për pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal”, thuhet në shkresë, përcjell Demokracia.com.

Këshilli për Bashkëpunim Rajonal promovon bashkëpunimin e ndërsjellë dhe integrimin evropian dhe euroatlantik të Evropës Juglindore, me qëllim të inkurajimit të zhvillimit në rajon për të mirën e qytetarëve të tij.

RCC u formua zyrtarisht më 27 shkurt 2008, si pasues i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore.

Detyrën e Sekretares së Përgjithshme aktualisht e mban Majlinda Bregu, ish-ministrja shqiptare për Integrim Evropian, e cila e mori detyrën në 4 janar 2019.