Vetizolimi, arsyeja pse në Kosovë ka më pak të arrestuar

Vetizolimi si masë mbrojtëse nga koronavirusi, ka ndikuar që në Kosovë të ketë më pak të arrestuar. Kështu të paktën tregojnë statistikat e Policisë së Kosovës.

Që nga data 13 mars, kur në Kosovë u paraqitën rastet e para me COVID-19, Policia e Kosovës ka arrestuar 246 persona. Sipas Policisë së Kosovës, krahasuar me dy muajt paraprak të këtij viti, këtë muaj vërehet një rënie e numrit të të arrestuarve.

Statistikat tregojnë se në muajin janar, për vepra të ndryshme penale u arrestuan 822 persona. Mbi 800 persona u arrestuan edhe në muajin shkurt, saktësisht 865.

Përmes një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka më pak persona të arrestuar, ka rënie të numrit të aksidenteve, po ashtu edhe rënie të qarkullimit, pas vendimit për kufizim të lëvizjes, si dhe është zvogëluar numri i gjobave në trafik.

“Policia e Kosovës është pjesë e Komisionit shtetëror për menaxhim dhe parandalim të koronavirusit dhe të gjitha aktivitetet dhe masat e deritanishme janë ndërmarrë në koordinim të plotë me të gjitha institucionet kompetente në fushën e shëndetësisë dhe institucioneve tjera relevante, konform edhe angazhimeve dhe detyrave sipas planit për gatishmëri dhe reagim”, thuhet në përgjigje.

Rënia e numrit të arrestimeve, sipas ekspertit të kriminologjisë Kastriot Rexhepi, është ndikuar nga shumë faktorë.

Rexhepi thotë për Radion Evropa e Lirë se rënia e dukshme e lëvizjeve të qytetarëve dhe aktiviteteve tjera shoqërore është një prej faktorëve.

Ai thotë po ashtu se edhe reduktimi i stafit në prokurori dhe gjykata si dhe mbipopullimi i burgjeve të Kosovës, kanë ndikuar që të zvogëlohet numri i të arrestuarve.

Rexhepi thotë se si pasojë e përhapjes së pandemisë COVID-19, edhe ata që do të mund të kryenin krime, kujdesen për shëndetin e tyre.

“Normal që një person që synon ta kryejë një vepër penale, besoj që më shumë do ta kishte dashur veten dhe shëndetin e tij. Kjo është normale, kontakti jo vetëm me njerëz, por edhe me gjësende dhe objekte që mund ta transmetojnë infeksionin te njerëzit. Pa dyshim që ndikon te kriminelët që të ulin dhe të zvogëlojnë aktivitetet e tyre kriminale”, thotë Rexhepi.

Izolimi nëpër shtëpi, sipas sociologut Albert Mecini, prodhon efekte edhe në aspektin e sigurisë dhe aspektin social të njerëzve.

Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se qarkullimi i reduktuar ndikon në uljen e numrin e veprave të ndryshme që kanë karakter penal.

“Kjo do të thotë e reflekton edhe jetën sociale dhe normalisht që do të ndikojë edhe në rënien numrin e këtyre rasteve që mund të quhen ose ndërlidhen me vepra penale ose krime të natyrave të ndryshme. Kjo nuk është duke ndodhur vetëm tek, por kjo është duke ndodhur në nivel global”, thotë Mecini.

Aktualisht në Kosovë janë raportuar dhjetëra persona të infektuar me COVID-19. Deri më tani një pacient ka vdekur nga koronavirusi dhe një është shëruar.