VV

Vetëvendosjes i bashkohet edhe një anëtar i ri, Arsim Rexhepi

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ka njoftuar se kësaj partie sot i është shtuar edhe një anëtar i ri.

Në llogarinë e tij Facebook, Kurti ka shkruar se me Arsim Rexhepin Lëvizjes Vetëvendosje do t’i shtohet dije dhe fuqi.

Postimi i plotë:

“Dr. Phil. Arsim Rexhepi, u anëtarësua sot në VETËVENDOSJE!. Studimet e Letërsisë Krahasimtare, Letërsisë Gjermane dhe të Historisë së Artit i ka kryer në Universitetin e Ruhr-it në Bochum të Gjermanisë, me ç’rast tema e magjistraturës së tij ishte “Autorefleksioni dhe Mitologjia në Letersinë Postmoderne”, kurse e doktoraturës “Mbi Funksionin e Hapsirës në Letërsinë bashkëkohore”. 

Arsimi ka të kryer edhe studimet e Shkencave Politike, Drejtimi i Qeverisjes, në Universitetin e Hagen-it. Ai është ligjërues i Letërsisë Gjermane në Universitetin Teknik të Dortmundit. Tash po i kryen studimet e postdoktoraturës në temën “Mbi Vetminë dhe të Huajën në Letërsinë Postmoderne. Kafka, Kadare, Kundera” në Universitetin e Bochumit të Gjermanisë.

Arsim Rexhepi ka qenë deputet i Legjislacionit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës (2007-2011), ku ka kryer funksionin e kryetarit të Komisionit të Arsimit dhe të udhëheqësit të Grupit Kuvendor të Miqësisë Kosovë-Gjermani. Arsimi është edhe shkrimtar, autor i një varg veprash letrare, si psh. i romanit “Dyert e mia në dy net të ndryshme” dhe librave poetik “Eva ime jerm”, “Prush dhe shpirt” etj. Me Arsimin, Lëvizjes sonë i shtohet dije e fuqi”.