Vetëvendosje thotë se “Prishtina nuk po përparon me Përparimin”

“Prishtina nuk po përparon me Përparimin”, kanë thënë asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje. Ata mbajtën një konferencë për media para Komunës së Prishtinës, në 100 ditëshin e punës së kryetarit, Përparim Rama.

“Pas një vështrimi serioz, jemi munduar të gjejmë disa konkrete, por e tëra qe kemi gjetur janë: udhëtimi në Londër, pushim në hotelin ‘Dukagjini’, ndalja e subvencioneve për Covid-19, vizita në Tiranë, shtrenjtim i taksive etj. Kemi mostransparencë në Prishtina Parking. Kemi bërllok gjithandej. Trafiku Urban me shume probleme që vetëm kryetari më duket se nuk është i njoftuar”, tha asamblistja e VV-së, Triera Kasumi.

Gëzim Sveçla, asamblist i VV-së, tha se pritishmëritë kanë qenë minimale, e sipas tij, tash pas 100 ditëshit nuk ekzistojnë fare.

“Siç mund ta shihni gati çdo lagje e qytetit ka aksione e protesta e që lidhen kryekput me mospunën e kryetarit. Ne do të përkrahim çdo projekt që është në të mirë që qytetarëve dhe nuk do të jemi bllokues, por është zhgënjyese se nuk po bëhet asgjë. Subjekti i tij është në koalicion me PDK-në dhe Ismailin. Ai ka bërë qindra premtime dhe rezultati është i njëjtë edhe për partinë e tij. Qytetarët e kanë provuar edhe më herët koalicionin LDK-PDK dhe është dëshmuar se është vetëm për interesat e tyre të ngushta dhe jo koalicion për qytetarët”, ka thënë ai.

Sveçla tha se “Prishtina nuk po përparon me Përparimin”.