Vetëvendosje thotë se është partia e parë më e votuar në zgjedhjet e 17 tetorit

Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se është partia e parë me numër të votave në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

“Lëvizja sërish doli e para! Zyrtarisht me 216 mijë e 556 vota Lëvizja VETËVENDOSJE! u shpall fituesja e këtyre zgjedhjeve lokale”, ka shkruar kjo parti.

Edhe LDK-ja të mërkurën tha se është partia e parë me 170 mijë e 177 vota derisa kryetari Lumir Abdixhiku e quajti këtë rikthim të partisë së tij.

Vetëvendosje në një postim në Facebook ka falënderuar votuesit “nga fshatrat e qytetet tona, dhe diasporën tonë të dashur”.

“Në raport me zgjedhjet e kaluara lokale, e kemi dyfishuar votën për Lëvizjen në nivel vendi. Është dyfishuar numri i asambleistëve të Lëvizjes në kuvendet komunale. Me kandidatët tanë jemi në garë për t’i fituar 12 komuna”.

Partia e Albin Kurtit thotë se mbeten vetëm 15 ditë deri në rrethin e dytë zgjedhor dhe se duhet angazhuar në maksimum që ta rrisin mbështetjen për Lëvizjen.

“Fitorja e Lëvizjes në komuna do të thotë shërbim për qytetarët, transparencë, përkujdesje, zhvillim e drejtësi. Prandaj këto ditë të lëvizim e të punojmë së bashku, me mbështetësit, vullnetarët, e gjithë qytetarët, sepse bashkë jemi Fitimtarë. Ta vendosim modelim e qeverisjes Kurti edhe në këto 12 komuna, dhe ta kthejmë pushtetin lokal kah e mbara”.