Vetëvendosje thotë se do ta dërgojë në Kushtetuese projektligjin për financimin e RTK-së

Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese projektligjin për financimin e RTK-së, nëse mbërrin leximin e dytë.

Përmes një komunikate për medie, ata kanë thënë se qytetarët detyrohen të paguajnë faturat e rrymës 2.5 euro më shumë për të siguruar financimin e Televizionit Publik, derisa thonë se, 50 cent padrejtësisht i falen KEDS-it.

“55 deputete të Qeverisë pra nga PDK, AAK, NISMA, PSD etj, votuan sot Projektligjin për transmetuesin publik (RTK) ku detyrohen qytetarët që të paguajnë në faturat e tyre të rrymës plus 2.5 euro, nga të cilat 50 cent për çdo faturë i fiton KEDS, pra rreth 2 milionë e 400 mijë euro të tjera do i falen KEDS dhe do i zhvaten qytetarëve”, thuhet në komunikatë.

Ata thonë se, projektligji në fjalë përmban edhe shumë probleme e defekte të tjera të cilat do ta thellojnë krizën e rëndë në të cilën gjendet RTK për shkak të menanxhmentit abuziv dhe praktika korruptive.

Sipas Vetëvendosje, ky projektligj kaloi sot falë votës së deputetëve që deklarohen si opozitë por votojnë rregullisht gjithçka të dëmshme për publikun e të nxitur nga deputetët e qeverisë.

“Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar disa herë që nuk do ta lejojë grabitjen e qytetarëve të Kosovës për interesave private e klienteliste. Radio Televizioni Publik është një nga institucionet bazë të shtetit tonë, atë e kanë kapur e njëjta klikë që ka kapur dhe shtetin tonë. Ky votim e bëri dhe më të qartë”, thonë ata.

Ata ndër të tjera kanë paraqitur edhe nenin përmes të cilit rregullohet financimi i RTK-së.

“Neni 33: Radiotelevizioni i Kosovës prej datës 01.01.2019, financohet përmes parapagimit të tarifës fikse mujore prej 2.50 (dy euro e pesëdhjetë cent) euro në faturat e energjisë elektrike, të cilat inkasohen nga operatori përgjegjës për inkasimin e energjisë elektrike në Kosovë apo ndonjë institucion tjetër dhe depozitohen në llogarinë e vetme zyrtare të RTK-së, e hapur në pajtim me rregullat e Kontrollit dhe Menaxhimit Financiar”.

Ky projektligj u votua sot në seancën e Kuvendit.