Vetëvendosje pa lojtarët kyç në Parlamentin e Kosovës

Lojtarët kyç të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu, Arben Vitia dhe Haki Abazi nuk do të jenë deputetë në Parlamentin e Kosovës, pas krijimit të Qeverisë së re që do të udhëhiqet nga Avdullah Hoti e që pritet të zgjidhet nesër(e merkur) nga LDK-NISMA dhe pakicat.

Pas krijimit të Qeverisë së re me kryeministër Avdullah Hoti që pritet të krijohet, Lëvizja Vetëvendosje do të ketë numrin më të madh të deputetëve në Parlamentin e Kosovës, mirëpo do të ju mungojnë figurat kyçe të partisë.

Albin Kurti, Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu, Arben Vitia dhe Haki Abazi, edhe pse ishin zgjedhur deputet në legjislaturën së fundit, kishin hequr dorë nga pozita e deputetit për tu bërë pjesë e Qeverisë Kurti.

Sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, secili deputet që merr post ekzekutiv është i detyruar të dorëzojë mandatin.

Shumicën e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, do ta përbejnë deputetët e rinj, ndërsa nga garda e vjetër  aty do të jenë Liburn Aliu e Rexhep Selimi e Fatmire Kollçaku, që pritet t’i prijnë betejës me Qeverinë Hoti në Kuvend.

Mungesa e Glauk Konjufcës pa dyshim që do të jetë një hendikep i madh për Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, i cili njihet për oratori dhe replika të forta me koleget tij të subjekteve të tjera në Parlamentin e Kosovës.

Konjufca ka qenë dhe nënkryetar i Kuvendit dhe largimi i tij do të jetë një hendikep i madh për VV’në në zërin përfaqësues të Parlamentit gjatë qeverisjes Hoti.

Albulena Haxhiu që aktualisht është ministre e drejtësisë në detyrë po ashtu kishte braktisur Parlamentin, pasi kishte zgjedhur të jetë ministre në Qeverinë Kurti. Haxhiu ishte shumë e zhurmshme gjatë përfaqësimit të saj në Parlament, zëri i saj është dëgjuar shumë shpesh, madje edhe kur nuk iu është dhënë fjala.

Ndërsa Haki Abazi, ishte zgjedhur deputet për herë të parë, i cili poashtu kishte vendosur ta braktisë pozitën e deputetit dhe të behët krahu i djathtë i Kurtit, duke marrë postin e zëvendëskryeministër, kishte habitur të gjithë me pozitën që kishte marrë, sepse me parë nuk kishte qenë pjesë e VV’së, dhe kishte akuzuar këtë parti duke e bërë fajtore kryesore për vdekjen e Astrit Deharit.

Ndërsa Arben Vitia, para deputetit kishte zgjedhur të jetë Ministër i Shëndetësisë, ndërsa emri i tij është bërë mjaftë i famshëm për arsye të pandemisë COVID-19, ku Vitia ishte figura kyçe e këtyre muajve.

Natyrisht që aktori apo lojtari kryesor që do t’i mungoj VV’së është lideri i saj, Albin Kurti, me demagogjinë e përsosur e fjalimeve të gjata në Parlamentin e Kosovës.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cili i dha të drejtë Presidentit të Kosovës për mandatimin e Avdullah Hotit të LDK’së, për formimin e Qeverisë, VV’ja kthehet në opozitë pa Albin Kurtin në Kuvend, të cilit i zgjati qeverisja vetëm tre muaj.

VV do të përfaqësohet në Parlamentin e Kosovë me 30 deputetë, e shumica prej tyre kanë fituar për herë të parë mandat, e në mesin e tyre do të jetë edhe deputetja me e re e kësaj legjislature, Fjolla Ujkani, vetëm 22 vjeçare.