Vetëvendosje nuk i do në bashkëqeverisje PDK-në, LDK-në e AAK-në

Për ta bërë Qeverinë, Lëvizja Vetëvendosje do të llogarisë vetëm në deputetët që u takojnë komuniteteve joserbe.

Kjo parti ka ndarë mendjen të mos i ftojë në koalicion asnjërën prej tri partive shqiptare, që do të përfaqësohen në Kuvend, ndërsa vazhdon ta mbajë vijën e kuqe me Listën Serbe.

“Ne presim që ta kemi numrin e mjaftueshëm të deputetëve për të vazhduar tutje me formimin e Qeverisë dhe me formimin e institucioneve. Në anën tjetër, presim të shohim kush do të jenë deputetët e subjekteve joserbe. Pra, të komuniteteve joshumicë, joserbe. E dini, në legjislaturën e kaluar kemi bashkëpunuar ngushtë, i kemi pasur pjesë të grupit parlamentar Elbert Krasniqin dhe zonjën Zikreta”, ka deklaruar Arbërie Nagavci, anëtare e Kryesisë së LVV-së.

Pas numërimit të të gjitha votave të rregullta, Vetëvendosje ka fituar 56 vende në Kuvend, PDK-ja 20, LDK-ja 14, AAK-ja 9, Lista Serbe 10 dhe komunitetet e tjera joshumicë 10 të tjera.

Akoma nuk janë numëruar edhe 27.249 vota me kusht, sikurse nuk janë hapur akoma rreth 43 mijë zarfe me fletëvotime të përcjella me postë.

Bleron Baraliu, matematikan dhe aktivist shqiptaro-amerikan, thotë se në versionin më optimist, votat e panumëruara e bëjnë Vetëvendosjen me 57 deputetë.

“Sipas gjasave të pritshme, LVV do të përfundojë me 57 deputetë. Kjo, sepse pritet të marrë rreth 60% nga votat me kusht (60%*26,432=16k vota) dhe 70% nga votat me postë (60,000*70%=42,000) që e shtyjnë LVV-në në 436,145 nga 877,720 vota në total, apo 49.7%.

Kjo nënkupton se për të marrë 60 deputetë, LVV-së i duhen rreth 458 mijë vota nga rreth 880 mijë gjithsej, apo 92% të votës së mbetur, e që është mbi 3 devijimi standard mbi normën e pritur”, ka thënë Baraliu.

Pra, LVV-ja i ka gjasat pothuajse zero të arrijë 60 deputetë.

Nëse votat e vlefshme me postë arrijnë 90-100 mijë, matematika ndryshon paksa, por gjasat mbesin të vogla.

Të dielën mbrëma kur u mësua rezultati, PDK-ja dha mesazhin se do të qëndrojë në opozitë.

Ndërkaq LDK-ja, që shënoi humbjen më të thellë në histori, dha qëndrimin se nuk është pishman për prishjen e koalicionit me Vetëvendosjen, pas zgjedhjeve të fundit.

Ndonëse Vetëvendosje nuk do ta ketë problem krijimin e Qeverisë, asaj i duhen së paku 80 deputetë në sallë për ta zgjedhur presidentin, post që i është premtuar Vjosa Osmanit.

Arbërie Nagavci nuk pret të kenë probleme as në këtë pikë.

“Unë shpresoj që partitë politike, edhe ato që nuk i kanë fituar zgjedhjet, në këtë rast sidomos PDK-ja, LDK-ja, po edhe AAK-ja, do të lexojnë qartë vullnetin e qytetarëve dhe nuk do të bllokojnë formimin e institucioneve, në këtë rast zgjedhjes së presidentes”, ka shtuar Nagavci.

AAK-ja është partia e vetme që ka shprehur gatishmëri për t’u përfshirë në koalicion, me kushtin që lideri i saj, Ramush Haradinaj, të zgjidhet president. Por Vetëvendosje nuk ka dhënë sinjale se mund t’ia përmbushë këtë kërkesë AAK-së.