Prishtina

Vetëvendosje në Prishtinë shpërndan drunj për skamnorët, akuzon të “punësuarit nga PSD-ja” se vodhën

Sot, kryetari i Qendrës së Lëvizjes në Prishtinë, Arben Vitia, bashkë me aktivistë shpërndanë drunj disa familjeve me gjendje të rënduar ekonomike në Komunën e Prishtinës.

Kështu bën me dije kjo parti, përmes një komunikate për media, derisa tregon se këto drunj janë siguruar nga ndihma të aktivistëve e përkrahësve vullnetmirë, të cilët kanë treguar gatishmërinë për solidarizim me ata që kanë më së shumti nevojë.

“Në parkun Gërmia ka një numër të madh të drunjve të cilët janë mbledhur nga pastrimi i pyjeve e shtigjeve dhe njëkohësisht ka drunj që janë konfiskuar nga inspeksioni për shkak të prerjeve ilegale. Këto drunj, që janë mbi 600 metra kub, sigurisht që do të lehtësonin kushtet e rënda të rasteve sociale në Komunën e Prishtinës”, thuhet në njoftim.

“Për më keq, para disa muajsh është raportuar se pikërisht nga punëtorë të punësuar së voni në Hortikulturë nga PSD-ja, janë vjedhur një pjesë e drunjve”, thuhet më tej.

Vetëvendosje në Prishtinë thotë se “Komuna nuk duhet e nuk mund të mbetet institucion që shfrytëzohet si trampolinë nga kryetari aktual, për ta përmbushur ambicien e tij për promovim”.

“Meqë zyrtarët nga Komuna e Prishtinës e Qeveria i kanë harruar rastet sociale, është i domosdoshëm angazhimi në aksionet solidarizuese, të cilat edhe ne si Qendër e Lëvizjes në Prishtinë do t’i shpeshtojmë e intensifikojmë”, ka thënë më tej Vetëvendosje e Prishtinës, në komunikatën e vet.