Vetëvendosje me ide antikushtetuese ndaj bizneseve kosovare, i dalin kundër të gjithë

Lëvizja Vetëvendosje gjatë ditës së sotme në Kuvendin e Kosovës ka propozuar Projektligj për Përcaktimin e Marzhës së Fitimit për produktet bazë. Por, kjo ide është konsideruar si skandaloze nga opozita dhe ekonomistët. Ky veprim i LVV-së është vlerësuar si ndërhyrje e papranueshme dhe antikushtetuese. 

Lëvizja Vetëvendosje dhe Qeveria Kurti kanë propozuar inicimin e Projektligjit për Caktimin e Marzhës së Fitimit për produktet bazë, drithërat, kripën, sheqerin, etj.

Mimoza Kusari-Lila si shefe e deputetëve të LVV-së e ka paraqitur këtë propozim në seancën e Kuvendit të Kosovës, fjalë që më vonë e shpërndau Lëvizja Vetëvendosje edhe në profilin e saj.

Kusari-Lila ka thënë se është e rëndësishme që Kuvendi ta trajtojë me seriozitet rritjen e çmimeve që prek secilin qytetar, shkaqet e pasojat dhe të propozohen masa që të zbatohen nga Qeveria dhe që e lehtësojnë jetën e qytetarëve, shkruan Demokracia.com.

Kusari-Lila tutje ka shtuar se kriza në sektorin energjetik u përkeqësua për shkak të involvimit të sistemit të drejtësisë në punën e rregullatorit.

“Në këtë kohë të krizës globale, me qëllim të krijimit të lehtësirave për qytetarëve tanë, Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! propozon që të iniciohet projektligji për caktimin e marzhës së fitimit për produktet bazë, ato të cilat janë të përcaktuara edhe me ligjin e TVSh-së dhe të cilat janë në normën 8%. Në këtë listë të produkteve hynë: drithërat, kripa, sheqeri, qumështi dhe produktet e qumështit, vaji për ushqim, vezët si dhe disa produkte tjera bazike. Është e nevojshme miratimi dhe draftimi me procedurë të shpejtuar për të sanuar efektet e rritjes së çmimeve dhe për të vendosur një kontroll tek ata të cilët në situatë krize shfrytëzojnë mundësitë për të përfituar jashtë normave dhe etikës biznesore”.

Ajo ka thënë se nëse reduktohet TVSH-ja, sipas kërkesës së opozitës, të hyrat nga Administrata Tatimore e Kosovës do të ndikohen dhe do të ketë ulje dhe më pak të hyra nga fondet për shpërndarje.

Por, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, e ka kundërshtuar ashpër propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje që të iniciohet ligji për caktim të marzhës në fitim për produktet bazike. Sipas tij, kjo është ndërhyrje e papranueshme dhe antikushtetuese, raporton Demokracia.com.

“Është precedent jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe ka për synim ta mbulojë paaftësinë në menaxhim të krizës me çmime. Për ta menaxhuar një krizë, fillimisht duhet ta pranosh që ka krizë”, ka shkruar ai.

“Nëse kemi ‘spekulues’ të çmimeve në treg dhe të tillë që dëmtojnë konkurrencën në treg, duhet t’i luftosh të njëjtit, por jo ta mbysësh krejt tregun”, ka shtuar ai.

Rukiqi në fund ka thënë se duhet të ketë norma më të ulëta të TVSH-së për produkte bazë dhe subvencionim të një pjese të shpenzimeve të transportit, si masa fillestare për adresimin e krizës aktuale.

Kurse, ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili është edhe ish-figurë e rëndësishme e LVV-së dikur, ka thënë se ‘përcaktimi i fitimit në produkte të caktuara shkakton më shumë dëme se vetë inflacioni”.

“Jo jo jo! Përcaktimi i fitimit në produkte të caktuara shkakton më shumë dëme se inflacioni. Furrat nuk janë as monopole as oligopole që janë armiq të Kosovës të cilat duhen të luftohen. Intervenimi me politika të tilla në sektorë sipas menysë së qeverisë apo Kuvendit pa kurfare ndihme financiare sulmon efiçencën dhe çrregullon zinxhirin që në fund rrit papunësinë dhe shkatërron kapitalin e akumuluar. Profiti i furraxhive nuk është shkaktar i rritjes së çmimeve. Kjo është mu marr me simptomin jo me shkaktarin.  Targetimi i produkteve bazë bëhet me infuzion financiar ose përmes zvogëlimit të tatimeve ose përmes subvencionimit të produkteve të caktuara”, shkruan Ahmeti.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se opozita ka ftuar debat parlamentar për të diskutuar për ngritjen e çmimeve.

Tahiri ka thënë se janë të vetëdijshëm sesi ka ardhur situata deri te ngritja e çmimeve dhe për këtë nuk e fajësojnë Qeverinë, por atë e fajësojnë për mungesë të veprimeve për të trajtuar këtë krizë.

“Opozita para se me kritiku ka ofruar edhe alternativë. PDK e ka sjell projektligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar, ku kemi propozuar që TVSH-ja në produktet esenciale ushqimore të zbritet nga 18 në 8 për qind. Sot mendojmë që TVSH-ja për produktet esenciale ushqimore duhet të hiqet krejtësisht për gjashtë muajt e ardhshëm”, ka thënë Tahiri.

Ai ka shtuar se Qeveria “duhet ta rishikojë dhe vlerësojë drejt çështjen e akcizës në naftë”.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pasur kritika të ashpra për kryeministrin Albin Kurti, të cilin e ka akuzuar se s’po merr masa për ta luftuar rritjen e çmimeve në vend.

“Politikisht je t’u shku ku unë dua të të shoh. Si kundërshtar politik i yti, je duke shkuar në drejtimin ku unë dua të të shoh, zgjate Zot! Por, për qëllime të vendit, je t’u e marrë në qafë. Mosmarrja e masave Albin është korrupsion. Po e varfëron shtresën e pasur dhe të mesme edhe më shumë”, ka thënë Abdixhiku në Kuvend.

I pari i LDK-së ka thënë se Qeveria nuk është në gjendje të përmend as edhe një masë që dëshmon se ka zhvillim ekonomik në Kosovë.

“Ju nuk keni sjellë zhvillim ekonomik dhe nuk jeni në gjendje të përmendni as edhe një masë që dëshmon se ka zhvillim ekonomik në Kosovë. Inflacioni është 13 për qind, rekord historik ky inflacion. Nuk vjen prej Albinit, por prej luftës së Putinit. Por çështja nuk është ç’po bën Putini, por Albini për ta zbutur këtë gjendje. Ne kemi punë me Albinin dhe jo me Putinin. 50 mijë eurot e baxhanakut, tash bëjnë 40 mijë”, ka thënë ai, duke iu referuar inflacionit të lartë në Kosovë.

Kryeministri Albin Kurti në fjalën e tij tha se Kosova s’është e vetmja që janë rritur çmimet.

Sipas tij, çmimet janë rritur globalisht edhe për shkak të kufizimeve në zinxhirin e furnizimit.

“Më lejoni të them se Kosova nuk është e vetme në këtë situatë të rritjes së çmimeve. Çmimet janë rritur globalisht, edhe për shkak të kufizimeve në zinxhirin e furnizimit. Pra, kryesisht kemi të bëjmë me inflacion të importuar, mbi të cilin ne si qeveri nuk është se kemi ndonjë mënyrë kontrolli apo ndikimi. Si qeveri kemi bërë maksimumin, që të sigurohemi se po i marrim masat e nevojshme për të arritur 3 qëllime kryesore: të parandalojmë presionet inflacionare të brendshme për aq sa mundemi, të mbështesim ata që kanë më së shumti nevojë dhe të marrim masa kundër tregtarëve spekulantë që tentojnë të shfrytëzojnë këtë krizë për të trashur fitimet”, tha Kurti.

Ditë më parë, Qeveria miratoi një udhëzim administrativ për t’i rregulluar çmimet e derivateve duke përcaktuar marzhën e fitimit për bizneset. /Demokracia.com/