Lëvizja Vetëvendosje, ka shprehur mbështetjen e saj për protestën që do të mbahet të premten, më 17 tetor, në Tiranë, në përkrahje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në reagimin e kësaj partie thuhet se Vetëvendosje qëndron në krah të qytetarëve që kërkojnë drejtësi për luftëtarët e lirisë, duke ritheksuar se qëndrimi i saj për Gjykatën Speciale mbetet i pandryshuar.
“Qëndrojmë në krah të të gjithë qytetarëve që protestojnë e kërkojnë drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Tiranë. Lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe e domosdoshme, ndërsa pretendimet se brenda saj ka ekzistuar një grup kriminal janë të pasakta dhe të padrejta,” thuhet në njoftim.
VV kujton se Gjykata Speciale nuk u krijua rastësisht, por nisi si proces që nga viti 2008 me nxitjen e Rusisë në Këshillin e Evropës dhe u miratua më vonë në vitin 2011 përmes raportit të senatorit Dick Marty.
Në reagim, Lëvizja kritikon edhe disa liderë politikë që sot kundërshtojnë gjykatën, ndërsa dikur kishin lobuar për themelimin e saj — përfshirë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
“Si atëherë më 2015, ashtu edhe sot më 2025, qëndrimi ynë është i njëjtë: drejtësia duhet të ndriçojë të vërtetën, dhe e vërteta është në anën e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës,” thekson VV.
Kjo parti u bën thirrje institucioneve të Shqipërisë dhe shteteve mike të Kosovës që çështjen e ish-krerëve të UÇK-së ta ngritin në forume ndërkombëtare si OKB, Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian, në vend që ajo të mbetet vetëm në nivel protestash.







