Bordi

Vetëvendosje kërkon shkarkimin e bordit të stacioni të autobusëve

Lëvizja Vetëvendosje përmes një konference për media sot ka paraqitur keqpërdorimet që janë gjetur nga auditori i përgjithshëm për ndërmarrjen komunale “Stacioni i Autobusëve” dhe Trafikun Urban në Prishtinë, duke kërkuar nga kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti që të shkarkojë bordin e stacionit të autobusëve.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani tha se ndërmarrja publike “Stacioni i Autobusëve” ka dështuar t’i përmbushë rekomandimet e dala nga auditori i përgjithshëm. Ai tha se bordi i kësaj ndërmarrje ka shpenzuar më shumë mjete se sa ka pasur të hyra financiare.Ai tha se tarifa prej 10 centësh që udhëtarët është dashur ta paguajnë në stacionin e autobusëve ka qenë një “plaçkë“  dhe nuk ka bazë ligjore.

Ndërsa, asamblisti i Komunës së Prishtinës nga radhët e Vetëvendosjes, Eman Rrahmani tha se qëllimisht po tentohet të falimentohet ndërmarrja komunale “Stacioni i Autobusëve”.

Rrahmani duke i treguar disa nga të gjeturat e auditorit të përgjithshëm për stacionin e autobusëve tha se në dy ndërmarrjet publike në “Stacionin e Autobusëve” dhe Trafikun Urban të Prishtinës kanë ndodhur keqpërdorime të mëdha me para.

Ai tha se do të kërkojnë nga kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti që të ndërmarrë masa që t’i ndalojë vjedhjet dhe keq menaxhimet në këto ndërmarrje. Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje tha se bordi i Stacionit të Autobusëve ka bërë shkelje pasi ka shpërblyer veten kur kjo ndërmarrje ka pasur humbje në të hyra./kp