Vetëvendosje kërkon heqjen e taksës në “Rrugën e Kombit”, e quan plaçkitje e qytetarëve

Lëvizja Vetëvendosje, dega në Shqipëri ka kërkuar që të hiqet taksa në “Rrugën e Kombit”.

Përmes një njoftimi, VV vlerëson se qeveria Rama po lumturon ata që janë kundër bashkimit kombëtar, ndërsa po pengojnë zhvillimin e ekonomisë kombëtare dhe po rrisin pabarazinë dhe mirëmbajnë padrejtësitë.

“Tarifat e larta përbëjnë shkelje të së drejtës së lëvizjes së lirë, duke qenë se udhëtarëve u mungon rruga alternative. Sipas Instatit, në muajin e parë të vendosjes së tarifave, numri i hyrjeve të shqiptarëve të Kosovës u ul me 11%, në raport me të njëjtin muaj një vit më herët, ndërsa hyrjet në maj të këtij viti kanë rënë me 19%”, thuhet në njoftim.

VV thotë se në kohën kur Kosova i ka vendosur tarifë 100% të gjithë mallrave të Serbisë, qeveria e Shqipërisë ka bërë një gjest aspak të pjekur, me vendosjen e tarifave tek i vetmi korridor që i lidh në çdo aspekt dy Republikat shqiptare.

Komunikata e plotë:

Tarifat e larta të vendosura në “Rrugën e Kombit” nga qeveria Rama lumturojnë ata që janë kundër bashkimit kombëtar, pengojnë zhvillimin e ekonomisë kombëtare, rrisin pabarazinë dhe mirëmbajnë padrejtësitë.

Publiku e di që nisma për kontratën koncensionare të këtij aksi rrugor ka nisur nga qeveritë e mëhershme, para vitit 2013, por realizimi i saj u bë pikërisht vitin e kaluar, me këtë qeveri, që nuk kishte nevojë të ndiqte të njëjtën linjë, e aq më pak të vendoste tarifa kaq të larta.

Dy kompanitë koncensionare “Kastrati sh.a.” dhe “Salillari sh.p.k.” vjelin 10 Euro vajtje-ardhje për veturat dhe 45 Euro për kamionët. Këto tarifa janë të larta edhe në krahasim me tarifat rrugore të shumë prej vendeve të zhvilluara të BE-së, e jo më për pjesën dërrmuese të shqiptarëve që kanë disa herë më pak të ardhura, e jetojnë me më shumë vështirësi.

loading…