Vetëvendosje ia jep PDK-së tri drejtori, detaje nga bisedimet për koalicion në Gjilan

Lëvizja Vetëvendosje është duke zhvilluar bisedimet me Partinë Demokratike të Kosovës për të arritur një marrëveshje për bashkëqeverisje në Gjilan.

Kështu Vetëvendosje i ka ofruar Partisë Demokratike tre drejtori.

Kështu tha për Klankosova.tv ish-kandidatja e PDK-së për kryetare të Gjilanit Leonora Morina Bunjaku.

Ajo tha se fillimisht PDK i ka kërkuar pesë drejtori dhe njërin nga postet e nënkryetarit ose kryesuesit të Kuvendit Komunal.

Tani sipas saj kërkesa e Partisë Demokratike është katër drejtori dhe kryesuesi.

“Ata na kanë ofruar tri drejtori. Ne fillimisht kemi kërkuar pesë drejtori edhe njërin nga postet e nënkryetarit ose kryesuesit. Në ndërkohë ne kemi lëvizur nga pesë në katër drejtori dhe postin e kryesuesit”.

“Tani jemi në pritje të finalizimit të marrëveshjes për bashkëqeverisje”.

Sot nuk u arrit të zgjedhet kryesuesi i Kuvendit Komunal të Gjilanit pasi nuk u arrit ujdi mes Vetëvendosjes me 10 asamblistë dhe partive opozitare.

Seanca e radhës është caktuar më datë 7 janar.