Vetëvendosje i reagon ashpër Edi Ramës, e akuzon se e mori Sunny Hill-in si predator

Arbër Zaimi i Lëvizjes Vetëvendosje e ka akuzuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama për humbjen e organizimit të festivalit “Sunny Hill”.

Prishtina humbi organizimin e festivalit si pasojë e vonesave të dokumentacioneve nga ana e MAPL-së, e cila thotë se komuna nuk ia ka dorëzuar në kohë të gjitha dokumentet e nevojshme.

Tash Lëvizja Vetëvendosje fajin po e hedh diku tjetër. Arbër Zaimi pretendon se Edi Rama ua vodhi organizimin e festivalit.

“Nuk është lajm fakti se Dukagjin Lipa i publikoi datat e organizimit në Tiranë vetëm pak minuta pasi i dërgoi letër Qeverisë së Kosovës. Pra nuk është lajm që letra e tij në fakt s’u shkrua për të pritur përgjigjen. Por lajm është sjellja predatore e Qeverisë Rama. Po jepet mesazhi se tash e tutje, sa herë që Qeveria e Kosovës negocion me ndonjë biznes për të gjetur ekuilibrin mes interesave publike e private, përballë nuk do të ketë thjesht kompanitë private, por edhe Ramën”, shkruan ai.

Postimi i plotë i Zaimit, pa ndërhyrje:

Nuk është lajm fakti se Dukagjin Lipa i publikoi datat e organizimit në Tiranë vetëm pak minuta pasi i dërgoi letër Qeverisë së Kosovës. Pra nuk është lajm që letra e tij në fakt s’u shkrua për të pritur përgjigjen.

Por lajm është sjellja predatore e Qeverisë Rama. Po jepet mesazhi se tash e tutje, sa herë që Qeveria e Kosovës negocion me ndonjë biznes për të gjetur ekuilibrin mes interesave publike e private, përballë nuk do të ketë thjesht kompanitë private, por edhe Ramën.

Shumë keq, sepse po nisi një “garë” e tillë mes Shqipërisë dhe Kosovës, do të fitojë veç kapitali privat dhe politikanët e blerë prej tij. Kjo “garë” do ta lërë krejt të shkatërruar interesin publik. Nuk do të duhej Qeveria e Shqipërisë të niste një “garë” të pistë e predatore kundër Kosovës.