“Vetëvendosje është shndërruar në organizatë për lustrimin e kriminelëve”
Driton Selmanaj nga LDK vlerëson se Lëvizja Vetëvendosje përdorë standarde të dyfishta sa i përket individëve të ndryshëm të cilët janë pjesë e politikës.
Sipas tij një person është i mirë për Vetëvendosjen vetëm kur është pjesë e tyre.
“Cilido nga njerëzit e LDK-së si të del diku tjetër bëhet i ndryshëm. Nuk bëhet ndryshimi me njerëz të njëjtë. LVV është shndërruar në një organizatë për lustrimin edhe të kriminelëve. Nëse je në LVV je kriminel i mirë!”, është shprehur Selmanaj.
Në Rubikon, Selmanaj ka marrë shembull aderimin e disa javëve më parë në Vetëvendosje të ish Kryetarit të Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, Sokol Dobruna.
“Një person që thirret që ka qenë kryetar i gjyqit ushtarak përfundoi në LVV. Ka dënuar njerëz me vdekje. Nëse Sokol Dobruna është diku tjetër thonë se ka dënuar shqiptarë me vdekje, kur shkon në LVV, thonë se ky e ka mbrojtur UÇK-në”.
“Derisa ka dënuar njerëz të UÇK-së me vdekje ku gjendet pozitiviteti?. Njerëzit me të kaluar delikuente janë në LVV”.