Vetëvendosje e krahason Putinin me Millosheviqin, kërkojnë ndëshkimin e Vuçiqit

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë një deklaratë publike ku krahasohen veprimet dhe deklaratat e ngjashme mes presidentit rus Vladimir Putin dhe ish-presidentit serb Slobodan Millosheviq.

Në këtë deklaratë, të publikuar në faqen zyrtare në Facebook, VV vlerëson se Putin dhe Milloshevqi janë autokratë e kriminelë me ngjashmëri të theksuara.

“Njëri vdiq pa ju shqiptuar dënimi, tjetrit po ja shqipton dënimin e gjithë bota e lirë dhe demokratike”, thuhet në deklaratën e Lëvizjes Vetëvendosje.

Një pikë tjetër e përbashkët e dy politikanëve, VV thotë se është edhe bashkëpunimi me presidentin aktual serb, Aleksandar Vuçiq. E ky i fundit duhet të ndëshkohet për të kaluarën dhe të tashmen e tij, thotë VV.

Deklarata e plotë e Vetëvendosjes:

PutinMillosheviç!

Veprimet dhe deklaratat të ngjashme.

Të dy autokratë e kriminelë që vazhdimin e politikës e shohin me mjete ushtarake kur dështojnë e janë të pafuqishëm në tryezë.

Të dy mohues të lirive dhe të drejtave të njeriut.

Të dy mohues të kombeve që duan paqe e bashkëjetesë njerëzore me fqinjët.

Të dy punuan me presidentin aktual të Serbisë Vuçiq.

Të dy kryen gjenocid.

Të dy mohuan krimet.

Njëri vdiq pa ju shqiptuar dënimi, tjetrit po ja shqipton dënimin e gjithë bota e lirë dhe demokratike.

Autokrati Vuçiq që si ministër i shërbeu Millosheviçit, e si president po i shërben Putinit duhet të ndëshkohet edhe për të kaluarën edhe për të tashmen e shërbimit të tij.