Vetëvendosje e konfirmon se nesër do të mbahet “performanca” me rreth 5 mijë pjesëmarrës

Lëvizja Vetëvendosje nesër do të mbajë një “performancë” me rreth 3 mijë e 500 deri në 5 mijë qytetarë në tri sheshet kryesore të Prishtinës.

Këtë për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i kësaj partie, Arlind Manxhuka, i cili tha se kjo nuk është një protestë, por një performancë.

“Në vazhdimësi gjatë kësaj kohe kemi pasur kërkesa e interesim të shumtë të qytetarëve për të protestuar në lidhje me zhvillimet në vend. Pas realizimit të suksesshëm të provës së parë nga qytëtarë e aktivistë ne kemi menduar të realizojmë testin e dytë por në përmasa më të mëdha. Pra, kjo sigurisht se nuk është një protestë, por një performancë me 3500 deri në 5000 persona”, tha ai.

Manxhuka tha se për këtë aktivitet të Lëvizjes Vetëvendosje janë njoftuar organet e rendit, në mënyrë që, siç tha ai, për të qenë korrekt dhe përbrenda rregullave e udhëzimeve.

Në anën tjetër Gjykata Kushtetuese pritet që nesër të shpallë vendimin lidhur me dekretin e presidentit, Hashim Thaçi, për mandatimin e Avdullah Hotit për formimin e qeverisë së re.