Vetëvendosje do ta kontestojë në Kushtetuese lëvizjen e Thaçit

Një ditë pas daljes nga spitali, presidentit Thaçi i kanë shkuar në Presidencë me radhë përfaqësuesit e të gjitha partive politike parlamentare.

Në takimin pa ndonjë masë mbrojtëse, në njërën prej sallave të Kuvendit, Thaçi e ka pasur vetëm një pyetje: A jeni për zgjedhje të reja apo për krijim të qeverisë?

Pasi i ka dëgjuar të gjitha me radhë, ka ardhur në përfundim se vendi do të ketë qeveri të re shumë shpejt, dhe mandatin do t’ia japë kujtdo që dëshmon se mund të sigurojë shumicën parlamentare.

Por partia në pushtet, Vetëvendosje, që kërkon zgjedhje të reja, ka vendosur ta dërgojë në Kushtetuese vendimin e Thaçit, pasi është e bindur se ai është duke e shkelur Kushtetutën.

Përfaqësuesja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka thënë se VV-ja se nuk ka hequr dorë nga mandatari i qeverisë.

Lidhja Demokratike e Kosovës veçse ka konfirmuar se brenda ditësh vendi mund ta ketë qeverinë e re.

Kreu i saj, Isa Mustafa, ka thënë se konsultat tashmë i ka nisur dhe emri i kryeministrit të ri do të bëhet i ditur nesër, pas mbledhjes së Kryesisë së partisë.

Tërthorazi ka lënë të kuptohet se nuk do të jetë ai kryeministër i Kosovës.

Pjesë e Qeverisë me LDK-në do të jenë edhe AAK-ja e Ramush Haradinajt dhe Nisma e Fatmir Limajt.

Por në opozitë do të qëndrojë Partia Demokratike e Kosovës.

Kadri Veseli ka thënë se do kjo parti do ta presë kalimin e krizës, e më pas do të kërkojë zgjedhje të reja.

Takimi i presidentit erdhi pas disa letrave drejtuar kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili nuk ia dërgoi emrin e mandatarit.