Vetëvendosja: Tarifa ndaj mallrave të Serbisë s’po zbatohet plotësisht

Lëvizja Vetëvendosje mbajti konferencë për media në lidhje me moszbatimin e plotë të tarifës prej 100% për produktet nga Serbia dhe Bosnja tash kur janë bërë tre muaj nga vendosja e kësaj mase.

Deputeti i Lëvizjes, Salih Zyba foli për lëshimet në zbatimin e këtij vendimi duke bërë që mallrat nga Serbia të jenë shumë prezente në treg dhe për të cilën gjë Qeveria nuk ka shpjegim ndërsa Ministria e Financave nuk është në nivel të përgjegjësisë.

“Presidenti Thaçi, nga partia e të cilit vjen Ministri i Financave aktual që do të duhej me mekanizmat e tij institucional të luftojë kontrabandën, në mënyrë cinike na thotë se është rritur kontrabanda në veri. Pra, kemi një deklaratë që është denoncim shtetëror apo pranim i kolapsimit shtetëror. Presidenti i një vendi thotë se kontrabanda me Serbinë është rritur. Kjo i bjen që ai pranon se ka pasur gjithmonë dhe kohët e fundit veçse është rritur”, tha Zyba.

Ai po ashtu deklaroi se Presidentit, kontrabanda po i pengon pikërisht në kohën kur ai dhe partia nga ai vjen po kërkojnë pezullimin e tarifës 100% ndaj Serbisë.

“Sepse s’e kemi dëgjuar asnjëherë më parë këtë konkluzion denoncues nga ai. As kur ka qenë kryeministër”, tha ai.

Zyba tha se sipas linjës së përgjegjësive në këtë mes janë përgjegjës Ministria e Financave dhe institucionet në varësi si Doganat dhe Antikontrabanda.

“Përgjegjëse po ashtu është Ministria e Punëve të Brendshme me Policinë e Kosovës, Departamenti i Krimit Ekonomik dhe Antikontrabanda. Ndërkaq sa i takon tregut të brendshëm në Kosovë brengosës është edhe mosreagimi i Ministrit të Tregtisë. Ka manovra të shumta me flamujt e vendosur që nuk përkojnë me vendet e origjinës siç e kërkon udhëzimi administrativ. Por për këto shkelje ka pak gjoba e konfiskime malli. Nuk ka fushatë për të vetëdijësuar qytetarët për rëndësinë e kujdesit dhe mos konsumit të këtyre produkteve. Nëse çdo ditë bëhet thirrje për heqjen apo pezullimin e taksës prej Presidentit te kryetari i Kuvendit e te ekipi negociator si mund të presim që zyrtarët që përballen me kontrabandën “me letra” dhe atë totalisht ilegale do t’i qëndrojnë presionit nga grupet financiare e jo rrallë herë dhe kriminale? Lëvizja Vetëvendosje megjithëse e cilëson si të pamjaftueshme këtë tarifë kërkon zbatimin e plotë të këtij vendimi, ndërkaq në lidhje me kontrabandën dhe keqpërdorimet me produktet të cilat kanë taksën prej 100% ditëve në vijim do të dorëzoj kërkesën për interpelancë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, përfundoi ai.