Veteranët protestojnë të hënën për ta kundërshtuar pagën minimale

OVL UÇK, ka vendosur që të hënën të dalin në protestë në Prishtinë me fillim nga ora 10, për të kundërshtuar Projektligjin për ndryshimin e ligjit për pagën minimale, i cili pritet të hidhet në votim në kuvend po atë ditë, në ora 11.

“Të hënën në ora 10 kemi vendosur të dalim në protestë, i ftojmë të gjithë të dalin se po bëhet diskriminim për kategoritë e dala nga lufta”, tha ushtruesi i detyrës së kryetarit të veteranëve të OVL UÇK-së, Faton Klinaku, në një konferencë për medie.

Klinaku madje tha se vetëm një takim e gjysmë e kanë realizuar deri tash me qeverinë.

“Kjo qeveri nuk ka bashkëpunuar asnjëherë me këto kategori të dala në lufta, edhe pse një takim e gjysmë e kemi pasur sepse takimin e dytë e kemi lënë në gjysmë dhe nuk jemi ftuar më. Çdo ndryshim ligji që pretendon ta bëjë pushteti do të duhej të konsultohej me kategoritë e dala nga lufta pasi janë kategori ligjore. Ligji i vetëm në fuqi sa i përket veteranëve është ai lidhur me pagën minimale”, ka thënë Klinaku.

Ai tha se kanë probleme të shumta si OVL-UÇK, sa i përket pensioneve të veteranit.

“Kemi probleme edhe në zyrën e kategorive të dala nga lufta. Është e turpshme kur veterani vdes dhe bashkëshortja nuk mund ta gëzojë pensionin, ose është turp kur për disa probleme teknike veterani nuk mund ta marr pensionin. Ne do të protestojmë të hënën në orën 10:00 dhe do të fillojmë të grumbullohemi për ta kundërshtuar ndryshimin për ligjin që është duke e bërë Kuvendi i Kosovës”.

Ai tha se kjo qeveri në vend që të rrisë pagën minimale për të gjitha shtresat, ata e bëjnë temë veteranin e luftës pikërisht për të mos ta bërë këtë gjë.

Ndërkaq, Xahvit Jashari, kryetar i familjeve të dëshmoreve, tha se prej vitit 2011 nuk kanë pasur ngritje të benificioneve.

Klinaku tha se qeveria ka një muaj që e di që do të bëjnë protestë. ai madje shtoi se nuk kanë nevojë t’i vizitojnë pjesëtarët e UÇK-së që gjenden në Hagë. Sipas tij, qëllimi i vizitave në Hagë është vetëm që njerëzit të mos dalin në protesta.

“Ata s’kanë nevojë të bëjnë mbështetje me vizita atje por me ligje. Ata s’kanë nevojë as për mua të shkoj t’i vizitojë por familjarët, por qëllimisht i bëjnë që njerëzit të mos dalin në protestë masive”, shtoi ai.