Veteranët e UÇK’së: Bastisja në zyrat tona po bëhet nga policë rusë

Rreth 50 policë të maskuar e të armatosur me emblema të EULEX’it në krahë, kanë bllokuar zyrat e OVL-UÇK’së në Prishtinë, ku po kryejnë bastisje. Zyrtarë të OVL-UÇK’së u kanë thënë mediave se disa nga policët që po kryejnë bastisje janë rusë.

Xhavit Jashari përfaqësues i familjeve të dëshmorëve të UÇK’së, para mediave ka thënë se policët që kanë hyrë në zyrat e OVL-UÇK’së, po flasin sllavisht.

Ai bashkë me Faton Klinakun, sekretar i OVL-UÇK’së, kanë akuzuar se policët po kryejnë bastisje pa asnjë urdhër legal.

Madje Klinaku ka thënë se nëse nuk ndërhynë shteti i Kosovës për të ndaluar këtë fushatë të Gjykatës Speciale dhe forcave të armatosura të tyre që po i kryejnë këto veprime, atëherë veteranët e UÇK’së, do të detyrohen të luftojnë edhe kundër tyre, sikurse kundër Jugosllavisë.

E gjitha po ndodhë disa ditë pas publikimit të dosjeve të Gjykatës Speciale nga ana e OVL-UÇK’së, të cilat në zyrat e tyre i sillte një person i armatosur, dhe një ditë pasi e njëjta polici kreu arrestimin e parë me urdhër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Ndërkohë që zyra e OVL-UCK’së ishte ‘vizituar’ disa herë nga pjesëtarë të EULEX’it në javët e fundit, pasi kjo organizatë publikonte dosje të Gjykatës Speciale, që pretendonin se po ua sjell dikush anonim.

Por dallimi me aksionin e sotëm është i madh. Sot EULEX-i ia mësyu zyrave të OVL-UÇK’së në qendër të Prishtinës me policë të armatosur me armë të gjata dhe me maska në fytyrë, shkruan Gazeta Online ‘Reporteri.net’.

Të njëjtit pritet të nxjerrin nën masën e arrestit dikë nga ajo zyrë, që i janë vënë në kërkim, me urdhër arrest nga Haga.