Veteranët e Dukagjinit, në mungesë të përkrahjes nga Qendra, “zbusin” qëndrimet

Veteranët e rajonit të Dukagjinit ditë më parë kishin protestuar para Pallatit të Drejtësisë në Prishtinë, në mbrojtje të vlerave të luftës dhe dinjitetit të luftëtarëve të UÇK-së, ku kishin paralajmëruar se nëse nuk do të plotësohen kërkesat e tyre deri nesër, do të organizojnë protesta jopaqësore.

Mirëpo, në vend të protestave, ditëve në vijim ata do të ndërmarrin dy veprime.

Veteranët e rajonit të Dukagjinit ditë më parë paraqitën tri kërkesa që Gjykata Themelore të fillojë hetimin se kush është fajtori i cili publikoi, sipas tyre, ilegalisht të dhënat personale në listat e veteranëve, të hidhet poshtë aktakuza për veteranët, si dhe prokuroria të kërkojë falje për dëmtimin e integritetit të veteranëve të luftës, raporton Kosovapress.

Ani pse kërkesat e tyre do të duhej të plotësoheshin deri më 8 tetor, ata përmes një komunikate për media, kanë njoftuar se nesër do t’i dërgojnë një letër kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, ku do të kërkohet se deri ku kanë arritur hetimet për zbardhjen e fajtorit që publikoi “ilegalisht listat në media”.

Kurse, si veprim të dytë, zyrat e OVL UÇK në Dukagjin, do të jenë të hapura për të gjithë luftëtarët pa dallim zone e brigade, ku do të përkrahen në përpilimin e padisë për fyerje të dinjitetit dhe publikimin ilegal të të dhënave personale.

Paditë, sipas kësaj dege, do të fillojnë që nga e enjtja, 11 tetor.

Megjithatë, ata nuk kanë përjashtuar mundësinë e protestave, ku kanë njoftuar se kjo do të varet nga komunikimi që do të kenë me Prokurorinë e Shtetit dhe gatishmërinë e tyre për të reflektuar.

Por, vendimet e tyre nuk po përkrahen as nga qendra.

Në një bisedë me KosovaPress, nënkryetari i OVL UÇK-së, Nasim Haradinaj ka theksuar se nuk do të përkrahin protesta të tilla, siç i ka quajtur ai, “rajonale dhe partiake”.

“Ne nuk i përkrahim që nga fillimi këto iniciativa lokale, në asnjë moment. Është organizata e Veteranëve të Luftës që ka përfaqësues të këtyre organizatave, atje këta nuk i kanë deleguar përfaqësuesit dhe Qendra e Këshilli Drejtues nuk i kanë përkrahur këto protesta që prej fillimit. Nuk ndodhë asnjëherë që një Degë të vendosë për Qendrën ose për krejt Kosovën se kur të protestohet ose kur mos të protestohet, është Qendra dhe Këshilli Drejtues që i merr ato vendime, e aq më pak ne nuk përkrahim iniciativa lokale dhe rajonale”, deklaroi Haradinaj.

Në lidhje me atë se a do të organizojnë vet si Qendër ndonjë protestë, ai tha se nuk janë për ultimatume.

“Ne kemi kërkuar përgjegjësi prej atyre se çfarë ka ndodhur, dhe ne nuk jemi për ultimatume. Ne nuk japim ultimatume dhe nuk e përkrahim askënd në ultimatum. Unë besoj që Gjykata dhe institucionet relevante janë duke i kryer punët e veta, besoj që do të vazhdojnë”, shtoi Haradinaj.

Sa i përket deklaratave nga të parët e shtetit, në lidhje me shifrën e veteranëve të luftës në Kosovë, Nesim Haradinaj u shpreh se që nga fillimi ata kanë rënë në kundërshtim me veten, ku kanë përmendur shifra të cilat kanë variuar.