Para shkarkimit

Vetëm dy lojtarë të Manchester Unitedit i dolën në ndihmë Mourinhos

Jose Mourinho ka pasur shumë mosmarrëveshje me lojtarët e Manchester Unitedit, dhe kjo gjë duket se ka ndikuar edhe në përkrahjen e tyre, teksa vetëm dy futbollistë e kanë mbështetur trajnerin portugez para momentit të shkarkimit.

Humbja ndaj Liverpoolit në fundjavën e kaluar ishte kulmi i pakënaqësisë të drejtuesve të “Djajve të Kuq”, të cilët vendosën ta largojnë 55 vjeçarin nga detyra e trajnerit, me Unitedin që renditet në pozitën e 6-të në Premier League me 19 pikë më pak se “The Reds” që janë lider.

Mourinho është përballur me shumë çështje te Manchester Unitedi, derisa përveç futbollistëve, kishte kritikuar edhe drejtorin sportiv, Ed Woodward dhe tifozët e klubit.

Ish trajneri i Chelseat, Real Madridit dhe Interit, vendosi të mos e inkuadrojë për asnjë minutë Paul Pogban në derbin kundër Liverpoolit, ndërsa Woodward të hënën një ditë pas ndeshjes, u takua me lojtarët duke i pyetur për përshytpjet e tyre lidhur me trajnerin.

Sipas gazetës angleze “Mirror”, të gjithë futbollistët ishin kundër Mourinhos, përveç mesfushorit serb, Nemanja Matic dhe sulmuesit belg, Romelu Lukaku, të cilët konfirmuan portugezin.

Ka pasur raportime se brenda skuadrës së Manchester Unitedit kishin lindur pakënaqësi lidhur me aktivizimin e vazhdueshëm të Nemanja Maticit përkundër se serbi nuk ishte në formë.

Përkundër që në ndeshjet e fundit nuk u preferua nga Mourinho, Lukaku kishte mbështetjen e trajnerit, ndërsa Pogba, Martial, Rashford dhe Bailly kryesonin listën e lojtarëve të frustruar.

Pas emërimit të Ole Gunnar Solskjaerit trajner i përkohëshëm te 20 herë kampionët e Anglisë, tifozët shpresojnë të rikthehet ndjesia pozitive për të luajtur për Manchester Unitedin.