Vetëm 81 persona po qëndrojnë të karantinuar në Qendrën e Studentëve

Vetëm 81 persona të cilët kanë ardhur nga jashtë në Kosovë janë duke qëndruar të karantinuar në Qendrën e Studentëve, e cila po shërben si vendizolim.

Këtë e ka bërë të ditur Drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta, i cili ka thënë se tani për tani numri i personave që janë duke qëndruar në këtë Qendër, është 81.

“Numri total i personave që janë duke qëndruar në Qendrën e Studentëve është 81”, ka thënë Sfishta për Telegrafin, duke shtuar se mbrëmë janë testuar edhe 17 persona.

Gjatë 24 orëve në Kosovë janë konfirmuar 14 raste të reja me coronavirus dhe dy pacientë të shëruar.

Deri më tani numri i personave të prekur me COVID-19 ka arritur në 886, të shëruar janë 658, ndërkaq 28 persona kanë humbur jetën.