Me rastin e Ditës së komunitetit rom, liderët e vendit janë deklaruar rreth angazhimit të institucioneve ndaj këtij komuniteti.

Me gjithë mospërkrahjen e institucioneve, ky komunitet ka bërë progres në arsim e shëndetësi, krahasuar me vitet paraprake.

Rreth ngritjes së vetëdijësimit të këtij komuniteti në fushën e shëndetësisë, për Ballkani.info ka folur Drejtori i Qendrës kryesore të Mjekësisë Familjare në Fushë Kosovë, Remzi Shala.

Ai ka thënë se krahasuar me vitet e kaluara, ky komunitet ka shënuar ngritje të vetëdijes në aspektin e shëndetësisë.

“Sa i përket komuniteteve, në radhë të parë duhet të kemi parasysh se në komunat e Kosovës, ata gëzojnë përkrahje të mirë në kuptimin e asaj se trajtohen barabartë me të gjithë pacientët e tjerë, pa dallim ngjyre, race apo etnie. Kjo mund të vërtetohet edhe me kontrollimin e librave të regjistrave të pacientëve ku shihet se kanë çasje për përkujdesje të barabartë me komunitetin shumicë”, ka thënë Shala.

Tutje, ai ka përmendur disa nga fushatat e vetëdijësimit të organizuara nga Qendra e Mjekësisë Familjare, të cilat kanë ndikuar në ngritjen e vetëdijësimit tek kjo pjesë e qytetarëve.

“Ne jemi në dijeni se gjendja ekonomike e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian është më e dobët, andaj edhe kemi ndërmarrë për disa vite me rradhë fushata për vetëdijësim rreth shëndetësisë. Janë mbajtur ligjerata në kuadër të fushatave të organizuara për sëmundjet bartëse, sëmundjet kronike për diabet, hipertension, pastaj ka pasur fushata vetëdijësimi për imunizim pasi që siç e dini në vitet e fundit kemi pasur probleme me sëmundjen e fruthit për shkak se imunizimi nuk ka qenë siç duhet, duke e marrë parasysh se ky komunitet është rregullisht në lëvizje”, ka thënë ai për Ballkani.info.

Ligjeratat me pjesëtarët e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian janë mbajtur në dy qendrat edukative që i kanë këto komunitete, ku është folur kryesisht rreth sëmundjeve kronike.

Këto fushata dhe ligjerime, sipas Shalës kanë ndikuar që numri i fëmijëve të vaksinuar të rregullt të këtij komuniteti të rritet.

Por e njëjta gjendje nuk ka qenë në dy vitet paraprake.

Shala ka thënë se në fushatat e organizuara në vitin 2017 dhe 2018, kanë parë që shumë fëmijë të këtyre komuniteteve, nuk kanë qenë të vaksinuar.

“Në bazë të kësaj, unë kam propozuar një iniciativë e cila është përkrahur dhe miratuar nga kryetari dhe Kuvendi Komunal, ku kemi marrë vendim që të gjithë familjet (pa dallim etnie), që janë të përfshira në skemat sociale, në rastet kur duan t’i vazhdojnë këto ndihma, duhet të kenë me vete edhe kartelen e imunizimit. Kjo ka bërë që këto familje, të vijnë në vizita në Qendrën e Mjeksisë Familjare, ku edhe i kanë vaksinuar fëmijët dhe tani shihet se kjo iniciativë ka qenë shumë e suksesshme duke parë se tani përqindja e qytetarëve të komunitetit në fjalë është ngritur mbi 90%”, ka thënë Shala.

Tutje, ai ka deklaruar se në vitet paraprake kur edhe i kanë vizituar familjet e komuniteteve shpi për shpi, kanë vaksinuar 800 fëmijë nga mosha 0-18 në vitin 2017, kurse në vitin 2018 kanë vaksinuar rreth 550 fëmijë.

Sipas Drejtorit të Qendrës kryesore të Mjekësisë Familjare në Fushë Kosovë, trajtimi i qytetarëve që i përkasin komuniteteve është i barabartë me atë të komunitetit shumicë. /Ballkani.info