Subjektet politike në Kosovë janë duke u përgatitur për zgjedhjet e 6 tetorit.

Gjatë kësaj fushate zgjedhore qytetarëve të Kosovës po iu jepen premtime të shumta nga kandidatë për kryeministër dhe kandidatë për deputet të subjekteve të ndryshme politike.

Mirëpo në këto zgjedhje, politikanët duket se janë vetëdijesuar dhe nuk po përmendin më shifra të mëdha për punësime dhe rritje ekonomike. Kështu mendon njohësi i çështjeve politike, Shkodran Ramadani.

“Këtë vit premtimet janë më reale sesa në zgjedhjet e kaluara për shkak se tash politikanët janë më të kujdesshëm edhe në shifra, shembull askush nga ta nuk i premton më 200 mijë vende të punës por 20 – 30 mijë, askush nuk premton më rritje ekonomike 15 për qind por 6 -7 për qind. E kanë kuptuar se askush më nuk iu beson dhe po tregohen më të matur. Tjetra është se të gjitha këto premtime janë absolute”, ka deklaruar Ramadani.

Sipas tij, partia e Ramush Haradinajt nuk do të arrijë ta mbaj premtimin për taksën 100 për qind, pasi ajo së shpejti nuk do të jetë më në fuqi.

“AAK ka premtime të cilat nuk mundet me i mbajt për shkak se herdo kur do ta heq taksën. Kushdo që thotë se nuk do të hiqet taksa, e ka gabim. Vetëvendosje është njëjtë si gjithmonë, premtimet në Prizren dhe Prishtinë nuk i kanë mbajt sa kanë pas pushtet. Megjithëse premtimet janë modeste nuk munden me u realizu siç po thonë këta”.

Sa i përket koalicioneve paszgjedhore, Ramadani mendon se ekziston mundësia të krijohet një VLAN 2.0 vetëm që PDK të mos hyjë në qeveri.

Përkundër vështirësive për koalicione paszgjedhore, ai ka theksuar se nuk duhet anashkaluar faktori ndërkombëtar të cilët nuk do të lejojnë stërzgjatje për ta krijuar qeverinë e re.

Theksojmë se partitë politike kanë edhe tri ditë kohë për të bërë fushatë dhe thirrje që të votohen.

loading…