Veseli vlerëson punën humanitare të punëtorëve të shëndetësisë

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli në Ditën Botërore Humanitare, ka theksuar sensibilizimin e gjendjes së civilëve në mbarë botën dhe kontributin e punëtorëve humanitarë, që shpesh rrezikojnë edhe jetën për t’iu gjendur pranë njerëzve në nevojë.

Ai me këtë rast po ashtu, ka cekur se si kryeministër i ardhshëm do të angazhohet më shumë, jo vetëm për të luftuar dhe parandaluar rastet e korrupsionit, por edhe për ta promovuar edhe më shumë misionin e sektorit të shëndetësisë si mision fisnik dhe humanitar.

Ja postimi i Z. Veseli në rrjetin social:

“Sot shënojmë Ditën Botërore Humanitare. Sensibilizimi i gjendjes së civilëve në mbarë botën dhe përkujtimi e nderimi i kontributit të punëtorëve humanitarë, që shpesh rrezikojnë edhe jetën për t’iu gjendur pranë njerëzve në nevojë, duhet të jetë pjesë e angazhimit tonë të përditshëm.

Por, sot, vëmendje më të veçantë kanë punëtorët e shëndetësisë, të cilët bëjnë punë të pazëvendësueshme humanitare për shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve.

Paralelisht me rritjen e pagave në sektorin e shëndetësisë, sistemi ynë shëndetësor duhet të mbështetet mbi moral dhe etikë. Si kryeministër i ardhshëm do të angazhohem më shumë, jo vetëm për të luftuar dhe parandaluar rastet e korrupsionit, por edhe për ta promovuar edhe më shumë misionin e tyre fisnik dhe humanitar.”

loading…