Veseli viziton nesër lokacionin ku po kërkon të ndërtohet Muzeu i Gjenocidit serb

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, duket se ka vendosur që t’i shtyjë përpara propozimet e fundit të tij që lidhen me krimet e Serbisë në Kosovë.

Ditë më parë, Veseli paralajmëroi inicimin e formimit të një Komisioni Shtetëror i cili tashmë pritet të formalizohet të enjten në seancë parlamentare dhe pas punës së tij do të rezultojë edhe inicimi i hapave tjerë drejt formimit të Tribunalit Ndërkombëtar.

Po ashtu, kryeparlamentari ka paralajmëruar se në Prishtinë do të ndërtohet edhe Memoriali i Gjenocidit, ndërsa tanimë e ka propozuar edhe vendin ku do të ndërtohet.

Veseli ka propozuar që ky Memorial të ndërtohet në vendin që njihet si ish-tjegullorja në kryeqytet, në një hapësirë prej 9 hektarësh e cila aktualisht menaxhohet nga AKP dhe pikërisht këtë vend ai pritet që ta vizitojë gjatë ditës së nesërme.