Veseli: Të orientohemi më shumë në politika zhvillimore, e më pak në ato sociale

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ua ka dhënë një lajm të mirë sot pensionistëve.

Për ta tha se nga viti i ardhshëm do të rriten pensionet.

Por, Veseli ka thënë se megjithatë shteti duhet të mos orientohet vetëm në skema sociale. Sipas tij, Kosova duhet të instalojë një logjikë të punës dhe zhvillimit të bizneseve, përmes investimeve në prodhim vendor dhe politika fiskale lehtësuese për bizneset.

Kjo, ka thënë ai, në një status të tij në Facebook, e rrit ekonominë e vendit.

“I lumtur që me buxhetin e vitit të ardhshëm do të ketë rritje të pensioneve, si rezultat i një menaxhimi efikas të buxhetit të shtetit dhe rritjes së vazhdueshme ekonomike.

Për pensionet bazike do të ketë 20 për qind rritje, ndërsa për pensionet kontributdhënëse do të ketë 15 për qind rritje. Ky ishte një premtim dhe marrëveshje që kishim bashkë me partnerët e koalicionit dhe jam i lumtur që kjo po realizohet.

Për këtë, falënderoj Kryeminstrin Ramush Haradinaj dhe Ministrin e Financave, Bedri Hamza.

Përkujdesja ndaj kategorive të ndryshme sociale është e domosdoshme.

Por, Kosovës i duhet një vizion për kapitalizëm modern, me politika fiskale që lehtësojnë bizneset nga tatimet, ndërsa fuqizojnë ndërmarrësit dhe prodhimin vendor që mundëson hapjen e vendeve të reja të punës. Ky orientim minimizon skemat sociale dhe rrit ekonominë e vendit”, ka shkruar ai.