Veseli takoi përfaqësues të komunitetit rom dhe i uroi festën e tyre P

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot, me rastin e 8 prillit – Ditës së romëve në Kosovë, priti një grup përfaqësuesish të këtij komuniteti, të drejtuar nga deputeti Allbert Kinolli.

Duke uruar të gjithë qytetarët e komunitetit rom në Kosovë për ditën e tyre, kryeparlamentari Veseli tha se komunitetet pakicë janë një ndër pasuritë kryesore që ka shteti ynë. Ai tha se përcaktimi kushtetues dhe ligjor i të drejtave dhe lirive të komuniteteve pakicë, e vë Kosovën në pozitë të lartë në renditjen botërore, si shtet me mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët e saj, pa dallim etnie e religjioni.

Veseli çmoi lart orientimin shtetformues të komunitetit rom në Kosovë dhe kontributin e tij në avancimin e proceseve demokratike në vend. Kreu i Kuvendit tha se institucionet do të vazhdojnë angazhimet për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe rritur mirëqenien e të gjithë qytetarëve të vendit. Përfaqësuesit e komunitetit rom, nga ana e tyre, falënderuan kryeparlamentarin Veseli për angazhimin dhe mbështetjen e tij të parazervë ndaj të gjitha komuniteteve pakicë në Kosovë, përfshirë edhe atë rom.