Veseli sërish fton liderët partiakë të nënshkruajnë paktin kundër korrupsionit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli u ka bërë thirrje të gjithë liderëve partiakë që të nënshkruajnë paktin kundër korrupsionit, kundër të cilit është shprehur Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ai në një postim në Facebook shkruan se kjo nuk është luftë e një njeriu, por duhet të jetë e të gjithëve.Në zgjedhjet e 6 tetorit, sipas tij duhet të garohet me lista të kandidatëve pa aktakuza, për çka tha se qytetarët presin vepra e jo fjalë.

Ideja e Veselit sot u refuzua nga të gjitha partitë që marrin pjesë në zgjedhjet e 6 tetorit.

Postimi i plotë:

Të gjithë ne duhet të pajtohemi për gjërat më themelore, siç është hyrja në këto zgjedhje me lista të kandidatëve pa aktakuza dhe zotimi për krijimin e qeverisë së ardhshme me njerëz të pa komprometuar. Qytetarët presin vepra e jo fjalë dhe ne duhet të vendosim një standard të ri etik. Kjo është arsyeja pse unë prezantova sot Paktin Kundër Korrupsionit dhe ftova të gjithë liderët e partive që ta nënshkruajnë dhe zbatojnë.

Dhjetë pikat e tij shërbejnë për të rinovuar besimin e qytetarëve te politikanët, duke dëshmuar se jemi serioz dhe të sinqertë në luftën kundër korrupsionit. Kjo nuk është luftë e një njeriu dhe as e një partie, por duhet të jetë e të gjithë neve. U bëj thirrje liderëve partiakë që ta nënshkruajnë këtë pakt, sepse kjo luftë është më e madhe se interesat partiake dhe konfliktet personale. Kryetari i LDK-së Isa Mustafa sot më herët tha se partia që ai drejton nuk do të nënshkruajë paktin e Kadri Veselit, përmes së cilit mund të kthehet besimi i qytetarëve ndaj politikanëve në luftimin e kësaj dukurie negative.

loading…