Veseli: Qeverinë Mustafa e rrëzuan votat e deputetëve të LDK-së

Kryeparlamentari Kadri Veseli thotë se deputetët e LDK-së nuk e votuan Isa Mustafën as kur u zgjodh kryeministër, e këtë e bënë deputetët e PDK-së.

Veseli ka thënë se zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, kërkoi nga Kosova të mos humb kohë në arritjen e një marrëveshje me Serbinë.

Veseli, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se partnerët e rëndësishëm të Kosovës po kërkojnë me ngulm që ne të futemi në dialog.

“Ndërkombëtarët na kanë thënë se nuk kemi kohë t’iu presim në pafundësi. Merrni përgjegjësi, dialogu do të ndodhë. Ne duam t’i mbyllim konfliktet në Ballkan, na thanë. E, ne tash t’i injorojmë këto kërkesa?”, ka deklaruar Veseli.

Duke folur për situatën politike në vend, Veseli ka thënë se qeverinë e kryesuar nga Isa Mustafa i LDK-së, e kanë rrëzuar votat e deputetëve të vetë asaj partie.

“Ata nuk ia kanë dhënë votën që nga momenti kur ai nuk është votuar për kryeministër, e kanë votuar deputetët e PDK-së. Në momentin më delikat iu rritnin votat kundër dhe erdhi një moment kur u detyruam të shkojmë në zgjedhje të parakohshme”, ka thënë Veseli.

Ai ka thënë se kjo qeveri është e suksesshme pasi ka kaluar më shumë projektligje se çdo Kuvend më parë.