Veseli premton përkrahje për Gjakovën në institucione qendrore

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Kadri Veseli gjatë një takimi sot me strukturat e kësaj partie në Gjakovë, ka premtuar se do të mbështesë këtë komunë dhe njerëzit e saj në institucione qendrore pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

Veseli kërkoi nga qytetarët e Gjakovës të votojnë kandidatët e PDK-së për deputetë, pasi janë njerëz të përgjegjshëm dhe do të kenë përkrahjen e tij institucionale.Krahas mbështetjes që dha për punëtorët dhe sipërmarrësit, ai tha se nuk do të ketë përkrahje për dembelët dhe ata që manipulojnë.

“Unë do të jem në Gjakovë, me të gjitha projektet të cilat ka mundësi t’i bëjë Qeveria e Republikës të Kosovës, për aq sa unë do t’i përkrah njerëzit e Gjakovës në institucione qendrore. Ju përkrahni ata më 6 tetor që të jenë zëri juaj dhe të jenë vendimmarrja juaj. Mos të vendosë dikush tjetër jashtë Gjakovës për ju, por të vendosni ju. Ju keni besuar shumë dhe shumë kujt, nuk e di ata shumë dhe shumëkujt, a ua kanë kthyer me hallall sikurse ju i keni besuar atyre. Unë mendoj se jo”, tha ai.

Edhe në Gjakovë, Veseli nuk la pa përmendur luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit.Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Hajdar Beqa tha se PDK jo vetë, që do të fitojnë zgjedhjet e 6 tetorit, por edhe ato lokale në Gjakovë.

Duke aluduar në dorëheqjen e kryeministrit Haradinaj, Beqa tha se Veseli nuk do të ikë, por do t’ia kthejë shpresën rinisë.Kjo parti sot ka prezantuar edhe kandidatët për deputetë në Kuvendin e Kosovës nga Gjakova: Hajdar Beqa, Geta Beqa, Butrint Batalli, Hysen Berisha.

loading…