Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri ka thënë para strukturave të reja të partisë në Ferizaj, se mosmarrëveshjet me Serbinë duhet të përmbyllen në një afat sa më të shpejtë, me njohje të ndërsjellë, pasi fqinjësia e mirë sipas tij i ndihmon Kosovës dhe rajonit.
Por, para kësaj, kryetari Veseli kërkoi që të gjitha krimet serbe dhe gjenocidi që ata kanë kryer në Kosovë duhet të zbardhen, pasi mohimi i një krimi është krim.
“Kur është dashur kemi luftuar. Tash duhet ta bëjmë paqen në Dekadën e dytë të lirisë, në mënyrë që mos tu lëmë barrë gjeneratave të reja. Tani vendi duhet të orientohet drejt zhvillimeve ekonomike dhe në rrugën euro atlantike. Kjo ka të bëjë me mirëqenien ekonomike, njerëzit tonë duhet t’i përgatisim për nevoja të ekonomisë së tregut, t’i integrojmë dhe resurset tona t’i përdorim në mënyrë adekuate”, tha Veseli.
I pari i PDK-së, foli dhe për angazhimin dhe punën e partisë gjatë këtyre viteve qeverisje dhe vizionin për Dekadën e Re që sipas tij është një vizion i ri dhe një koncept i ri për zhvillim më të fuqishëm të Kosovës.
“PDK-së i besojnë dhe e mbështesin qytetarët anekënd Kosovës sepse ne kemi vizion për shtetin e nuk merremi me debate koti duke sharë partitë tjera. Prandaj edhe në Dekadën e Re ne do të ofrojmë vizionin më të mirë për zhvillimin ekonomik të vendit dhe për perspektivën e sigurt të rinisë sonë”, tha Veseli.
Nga ana tjetër, Kryetari i Komunës së Ferizajt, njëherësh kryetar i Degës së PDK-së në Ferizaj, Agim Aliu duke folur për strukturat e reja të degës së PDK-së, tha se Dekada e Re ‘ka pushtuar’ komunën ku ai qeverisë, duke theksuar se tashmë ka njerëz të ri me ide të reja.









