Veseli: Nuk kanë rëndësi karriget tona sa ka rëndësi partneriteti me SHBA-në

Veseli ka folur për ngjarjet e fundit si dhe diskutimet që kanë pasur me ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, duke thënë se është e rëndësishme të ruhet partneriteti me SHBA-në.

“Është e rëndësishme që të ruhet partneriteti i shtetit tonë me SHBA-në dhe vendet tjera perëndimore. Pa politika të mençura euroatlantike nuk do të ketë sovranitet dhe integritet territorial dhe jemi duke punuar në këtë drejtim. Për aq sa është i shenjtë sovraniteti dhe integriteti territorial i vendit, Mitrovica do të jetë një, nuk do të ketë Asosacion me kompetenca ekzekutive, nuk do të ketë shkëmbim të territoreve dhe do të ketë partneritet të përjetshëm të SHBA-së me Kosovën”, ka thënë Veseli, raporton Ballkani.info.

I pyetur nga gazetarët se a do të vazhdojë koalicioni qeverisës apo ka luhatje brenda Qeverisë, Veseli ka thënë se kjo nuk ka rëndësi.

“Pak kanë rëndësi çështjet e brendshme dhe karrigat, që nga ajo e imja e me rend. Me rëndësi është që shteti është i shenjtë pasi që ka sakrificën e këtyre heronjve që kanë rënë në altarin e lirisë dhe mençuria jonë që ta mbajmë këtë partneritet me ata që e kemi arritur lirinë e pavarësinë dhe jemi duke ecur në integrime euroatlantike”, ka përfunduar Veseli. /Ballkani.info