Veseli: Nuk ka qare pa ndodhur drejtësia, shpresojmë që ndërkombëtarët ta përkrahin Tribunalin Ndërkombëtar

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli i cili qëndroi në lokacionin ku do të ruhen eksponatet e rrobave të të vrarëve gjatë luftës së fundit në Kosovë ka thënë se vendi ynë përveç paqes e të ardhmes dhe drejtësisë, nuk dëshiron luftë.

“E kemi obligim që të mos e varrosim rrobën e këtij fëmije (Foto brenda tekstit). Do të jetë në Muzeun e Gjenocidit. Do të dihen edhe prindërit e tij nëse i ka gjallë. Ky është përjetimi jonë. Duam paqe, nuk duam konflikt, duam të ardhme. Por më askush nuk guxon të na nguc qysh don. Edhe drejtësi nuk ka qare pa ndodh. Qare s’ka pa ndodhur.”, tha Veseli.

I pari i PDK-së tha se është e pa falshme nëse bashkësia ndërkombëtare nuk do ta përkrahë iniciativën e Kosovës për Tribunalin Ndërkombëtar.

“Nëse ka qenë dikush në Jerusalem është një pirg i madh, nëse shkoni në Poklek gjeni edhe copëza të eshtrave. Do të kërkoj edhe prej familjeve të tyre që të jenë në këtë ekspozitë. Me e ditë se 56 vetë janë në varr se i kanë djeg. Njëjtë ka ndodhur edhe në shekullin e 21 edhe Holokausti. Është papërgjegjësi dhe do të jetë e pafalshme nëse bashkësia ndërkombëtare nuk e përkrahë iniciativën tonë për Tribunal Ndërkombëtar. Kryerësit e krimeve do të përgjigjen para Kosovës gjithsesi, por do bëhet edhe drejtësia edhe Tribunali Ndërkombëtar”, tha Veseli.

Ndërsa, drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, ka thënë se deri në vitin 2004 kufomat e personave të vrarë në luftë janë varrosur bashkë me rroba, por pas këtij viti është marrë iniciativa që në rastet tjera ato të duhen në mënyrë që të dëshmohen krimet që kanë ndodhur në Kosovë.

Ai ka thënë se aktualisht ruhen 948 pako të personave të vrarë më gjësende dhe rroba.