Veseli: Njerëzit e pangopur duhet t’i dërgojmë në burg

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka deklaruar se njerëzit e pangopur duhet të ndalen, duhet të denoncohen dhe të dërgohen në burg, derisa njerëzit që kanë ide, kreativitet dhe dashuri për vendin duhet të përkrahen.

Ai këto komente i ka bërë gjatë lansimit të “Fondit Rinor” nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ku edhe është bërë shpërndarja e kontratave për 21 përfituesit e granteve nga ky fond, i cili fond ka mbi 1 milionë euro buxhet.

Kreu i Kuvendit ka thënë se target i tyre janë të rinjtë për faktin se janë aseti më i veçantë dhe më i jashtëzakonshëm, për aq sa ka thënë që orientim i tyre është edhe ekonomia e lirë e tregut, ndërmarrësia dhe inovatorët e rinj.

Ai tha se e vetmja shpresë për një ekonomi dhe shoqëri që të ketë një prosperitet, zhvillim, transformim në një shoqëri moderne është përmes njerëzve të rinj, inovativ dhe ndërmarrësve të cilët mund të zhvillojnë vendin.

Veseli tha se institucionet e kanë për obligim që t’i përkrahin njerëzit që kanë ide, të cilët janë inovator dhe ndërmarrësit të cilët mund të krijojnë të mira materiale dhe mund të krijojnë punësim

Veseli ka thënë se njerëzit e pangopur duhet t’i dërgojmë në burg.

“Kosova jonë vetëm para dy dekadave, në këtë moment kur po flasim nëse e përkujtojmë këtu ka pasur një tendencë për zhdukje fizike tërë qenies tonë. Do të thotë ka qenë një shkatërrim total i ekonomisë tonë, ekonomisë industriale, po në të njëjtën kohë edhe i ekonomisë sonë familjare. Jemi duke ecur në drejtimin e duhur, ka shumë gjëra të cilat duhet të bëhen më mirë, ato të cilat duhet të bëhen më mirë duhet vet t’i bëjmë më mirë, në rend të parë ta ndalim egon e cila në një moment të caktuar, një kategori e caktuar të qytetarëve tanë, përkatësisht të bartësve do të thosha më konkretisht të cilët kanë pushtet i ka kapluar. E këtë mund ta bëjmë të gjithë bashkërisht, ju së bashku më ne, për faktin se kjo nuk ndahet, kemi njerëz të cilët janë të ngopur dhe të pangopur, ata të cilët janë të pangopur duhet me ua tregu vendin, duhet me i denoncua dhe duhet me i dërgua në burg. Ata të c ilët kanë ide, kanë kreativitet, kanë zhvillim, kanë dashuri për këtë vend dhe për perspektivën e qytetarëve, por jo me manipulua në të keqën tonë të përbashkët, atyre duhet t’iu japim perspektivë”, ka thënë lideri i PDK-së.