Veseli nga takimi me Senatorin amerikan: Kemi përkrahjen e SHBA-së për Ushtrinë

Kryeparlamentari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka qëndruar në Amerikë për të përfunduar një varg takimesh me figura të larta në SHBA.

Ditën e sotme, Veseli përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, ka njoftuar për takimin që ka pasur me Senatorin Gary Peters, njëherish edhe anëtar i Komitetit të Senatit për Forca të Armatosura në Amerikë, përcjell Ballkani.info.

Veseli ka diskutuar me senatorin Peters rreth transformimit të FSK-së në Ushtri të Kosovës, ku ka theksuar se ka mbështetjen e plotë të Senatorit.

Njoftimi i plotë:

Në takim me Senatorin, Gary Peters, një mik i madh i Kosovës. E falënderova për mbështetjen që i ka dhënë dhe po i jep Kosovës. Si anëtar i Komitetit të Senatit për Forca të Armatosura, me senatorin Peters diskutuam për transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës. Ai shprehi përkrahjen e plotë si dhe patëm një diskutim shumë përmbajtësor për misionin dhe ngritjen e kapaciteteve të ushtrisë sonë pas transformimit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë gjithmonë përkrah Kosovës. /Ballkani.info/