Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, sot në 20-vjetorin e masakrës së Reçakut, të kryer nga forcat serbe, bëri homazhe dhe vendosi lule në Kompleksin Memorial në këtë fshat, në nderim të viktimave të 15 janarit 1999.

Ai nga atje ka kërkuar bashkimin e spektrit politik kur bëhet fjalë për dialogun me Serbinë.
“Sovraniteti i shtetit, integriteti territorial dhe institucional janë vlera të shenjta për ne, prandaj edhe të paprekshme”.

“Ne hyjmë në dialog për ta finalizuar shtetndërtimin ndërkombëtar të Kosovës, për ta marrë njohjen e shtetit të Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”.

Po ashtu Veseli foli edhe për fillimin e punës së Gjykatës Speciale, duke vlerësuar se obligimi ndaj të ardhmes së vendit, ka bërë që sot shumë bashkëluftëtarë, në vend se të ishin këtu, u duhet të ballafaqohen me kërkesat e drejtësisë selektive, e cila vë në dyshim drejtësinë e luftës çlirimtare.

“Ne nuk kemi frikë nga ky ballafaqim. As nuk ikim prej tij. Ne do ta paguajmë edhe këtë çmim dhe si gjithmonë kemi me dalë faqebardhë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë, është e do të mbetet krenaria më e madhe e popullit tonë”.