Veseli në takime në Washington pa Hotin e Kusarin

Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, u mundua që ta paraqesë veten, në takimet në ShBA, si udhëheqës i delegacionit nga Kosova. Kjo megjithatë u bë vetëm për pak kohë, përmes një njoftimi zyrtar që u lëshua në faqen zyrtare të Kuvendit. Kryeparlamentari, pasi që paraprakisht u demantua nga dy deputetët e opozitës, që janë pjesmarrës me ftesë të Kongresit, po e demanton edhe veten duke publikuar foto nga takimet, ku ai po shihet krejt i vetëm.

Kryeparlamentari Kadri Veseli u mundua që një vizitë në SHBA, ku të ftuar përveç tij janë edhe dy deputetë të opozitës, ta marrë përsipër duke deklaruar se të njëjtit do të bëjnë pjesë në delegacionin e tij.

Të shpejta ishin reagimet nga shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti e kolegia e tij në opozitë, Mimoza Kusari-Lila e Alternativës.

Të dy këta prezantuan ftesat që demantuan njoftimin që lëshoi Kuvendi i Kosovës për vizitën në SHBA, e ku shkruhej se të dy këta do të ishin pjesë e delegacionit të kryeparlamentarit.

Tash veç kur ka shkuar në Amerikë, ai ka filluar që përmes Facebook-ut të njoftojë për takimet që po mban aty.

Mbrëmë kreu i Kuvendit njoftoi për dy takime që ka mbajtur, askund nuk u panë as Hoti e as deputetja Kusari Lila.

U bë e ditur se u takua me kongresmenin me kongresmenin Gerald E. Connolly, kryesues i delegacionit amerikan në Asamblenë Parlamentare të NATO-s dhe anëtar i Komisionit për Politikë të Jashtme në Kongresin Amerikan, si dhe me Senatorin Ron Johnson.

Veseli e dy deputetët do të qëndrojnë në SHBA për tre ditë, derisa në këtë program do të ketë më shumë se 15 parlamente nga e gjithë bota.

Shtetet tjera pjesëmarrëse janë: Armenia, Kolumbia, Gjorgjia, Guatemala, Haiti, Indonezia, Iraku, Kenia, Kirgistani, Libani, Liberia, Nepali, Peru, Sri Lanka dhe Tunisi.

Kongresistët amerikanë, demokratë dhe republikanë, bashkë me parlametarët nga këto vende do të diskutojnë për avansimin e parimeve demokratike në Botën e sotme me ngecje serioze të demokracisë.

Ky program facilitohet nga instituti Demokratik Kombëtar në bashkëpunim me USAID dhe Institutin Republikan kombëtar.

loading…