Veseli në SHBA flet për të ardhmen e ushtrisë dhe çështjet tregtare

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka takuar në Washington Senatorin demokrat Gary Peters dhe Kongresmenin republikan Vern Buchanan, me të cilët ka diskutuar për zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon, si dhe për bashkëpunimin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe SHBA-së.

Përmes një komunikate për media nga Kuvendi, thuhet se gjatë takimit me Senatorin Gary Peters, i cili është anëtar i Komitetit për Siguri Kombëtare në SHBA, Veseli foli për të ardhmen e ushtrisë së Kosovës dhe bashkëpunimin e saj me ushtrinë amerikane.

Senatori Peters, nga ana e tij, thuhet në komunikatë, shprehu mbështetjen për të ardhmen e ushtrisë së Kosovës drejt anëtarësimit në NATO.

Ndërsa në takim me Kongresmenin Vern Buchanan, Veseli ka diskutuar për çështjet tregtare dhe për nxitjen e investimeve amerikane në Kosovë.

Siç thuhet në komunikatë, Veseli tha se Kosova ka potencial të zhvillimit ekonomik dhe tashmë ka infrastrukturë moderne për investitorë të jashtëm.

Ndërsa Kongresmenin Vern Buchanan, tha se është duke u interesuar që të nxisë kompani amerikane për të investuar në Kosovë në sektorë të ndryshëm.​