Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, në një konferencë për media, tha se nga e hënë nxënësit do të fillojë mësimi në të gjitha nivelet.
Veseli theksoi se me miratimin e Projektligjit për Paga për 70 mijë të punësuar në sektorin publik rriten pagat.
Kryeparlamentari Veseli u bëri thirrje të gjithë punëtorëve të sektorit publik që të ndalojnë grevën.
“Siguroj punëtorët e doganës se statusi i tyre nuk do të preket. I ftoj kolegët e sektorit publik ti kthehen kontributit dhe të ndërtojmë një shtet të fuqishëm. Falënderoj kryeministrin për kontributin e jashtëzakonshëm, pasi nxënësit e studentët do të fillojnë mësimin të hënën”, ka thënë Veseli.
Ndërkaq, kryeministri Haradinaj duke folur për Ligjin për Paga, ka vlerësuar se po punohet shumë në përgatitjen e këtij ligji.
“Jam i vetëdijshëm që përgatitja për këtë ligj dhe puna qe ka ndodh i ka shqetësuar të gjitha kategoritë që paguhen nga buxheti. Mendoj se ne kemi arritur finalen e këtij ligji. Nuk ka qenë e lehtë as marrëveshja e sotme pa ndihmën e kryetarit. Është e ditur që qeveria e vendit është e interesuar ti jap përgjigje të gjitha kategorive që paguhen nga paratë e shtetit, jemi të interesuar të respektohet integriteti i të gjithëve në Kosovë, prandaj falënderoj shumë sindikatën”, ka theksuar Haradinaj.
Nxënësit i uroi edhe kryetari i SBASHK-ut, Jasharaj, i cili tha se sot u arrit marrëveshja që mësimi në të gjitha shkollat të fillojë nga e hëna.







