Veseli: Masakra e Rrezallës të jetë kujtesë për qeverinë në ikje e cila po flirton me Beogradin

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, ka përkujtuar masakrën në Rrezallë, 21 vjet më parë.

Ai ka shkruar se kjo masakër duhet të shërbejë si kujtesë për qeverinë në detyrë pasi sipas tij, ajo po “flirton” me strukturat serbe.

Postimi i tij:

Masakra e Rezallës, kryer mizorisht 21 vjet më parë, është një tjetër dëshmi e gjenocidit të shtetit serb që njollos ndërgjegjen e drejtësisë ndërkombëtare e cila ende toleron pandëshkueshmërinë e xhelatëve që e shkaktuan.

Trupat e një pjese prej viktimave të kësaj masakre u gjendën në vitin 2014 në një varrezë masive në Rudnice të Serbisë. Serbia, ende na fsheh fatin dhe trupat e mbi 1600 civilëve tanë, prandaj kemi mjaft arsye që të tregohemi të kujdesshëm e dyshues ndaj këtij shteti. Kjo vlen veçanërisht si kujtesë ndaj qeverisë në ikje e cila po flirton me Beogradin duke lejuar futjen në Kosovë të strukturave “humanitare” të dërguara prej këtij shteti.

Gjaku i martirëve te masakres së Rezalles është edhe një dëshmi që ne nuk duhet të lejojmë të devijojmë nga qëllimi ynë i përbashkët për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës.