Kadri Veseli
Veseli kërkon ndihmën e Francës për liberalizimin e vizave
Në Forumin Frankofon të Investimeve të organizuar nga Klubi Afarist Frankofon në Kosovë, u tha se Kosova është shtet me mundësi të mëdha për investime të huaja.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, tha se Kosova është shtet i ri, me mundësi të mëdha dhe legjislacion të standardeve më të larta evropiane, ku ka shumë mundësi investimi për investitorët ndërkombëtarë.
Ndërsa, kryetari i Kuvendi të Kosovës Kadri Veseli duke treguar për kushtet të cilat i ofron Kosova për investitorë të huaj, ka thënë se Ligji për Investime Strategjike dhe mundësitë të cilat i ofron edhe Agjencia Kosovare e Privatizimit, mundësojnë që tokat të jepen falas për investitorët të cilët investojnë në shumën e caktuar që krijojnë të mira materiale dhe punësim.
Mirëpo, Veseli kërkoi nga shteti i Francës që ta mbështes Kosovën për liberalizmin e vizave, sepse sipas tij, Kosova ka mbetur peng.
Kryeministri Ramush Haradinaj në gjuhën frënge foli për të arriturat që i ka bërë qeveria e tij për investimet e huaja. Haradinaj ka përmendur edhe politikat tatimore dhe lehtësirat për fillimin e një ndërmarrje të re në Kosovë, po ashtu edhe infrastrukturën e mirë për biznese.