Veseli flet për nominimet për kryeministër që dje iu bënë nga nënkryetarët e PDK-së

Kryetari i PDK-së, njëherësh edhe kryetar i Kuvendit, Kadri Veseli pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë së Kuvendit ka folur për caktimin e mbajtjes së seancës lidhur ME gjenocidin serb në Kosovë.

Në këtë konferencë, ai është pyetur edhe për nominimet që partia e tij gjatë ditës së djeshme ia bëri për kryeministër.

“Aktualisht kisha pasur dëshirë të fokusohem ka gjenocidi serb pastaj ka ana e kërrigës do të fokusohemi më vonë por do të vie edhe ai moment. E di që ka nga pak edhe skepticizëm e kjo më së shumti po më pengon”, tha Veseli.

Kurse, për Tribuinalin Ndërkombëtar për krimet serbe në Kosovë ai tha se ”ashtu siç kam paralajmëruar, sot para Kryesisë së Kuvendit të Kosovës kam paraqitur propozimin që këtë të enjte të mbahet seancë parlamentare për themelimin e një Komisioni Shtetëror i cili do ta ketë si mision konfirmimin, hulumtimin dhe klasifikimin e gjenocidit të kryer gjatë luftës së fundit në Kosovë”, tha ai.

Veseli po ashtu ka thënë se ish-Tjegullorja në Prishtinë mund të jetë një nga lokacionet e mundshme për ndërtimin e Muzeut të Gjenocidit në Kosovë.

Ai tha se do të ndërtohet edhe një Memorial për viktimat e luftës në Kosovës.

Përpos këtyre, ai përmendi edhe ndërtimin e një Muzeu në Stacionin e Trenit në Prishtinë, përmes së cilit do të përkujtohet përndjekja e rreth 1 milionë shqiptarëve nga Kosova, nga forcat serbe.

Kryetari i Kuvendit tha se ky proces mund të zgjasë por do të ndodhë, dhe se askush nuk do të mund të mohoj masakrat në Kosovë.

Për këto tha ai, dikush duhet të japë përgjegjës.Tha se “ky Tribunal do të marrë kohë. Drejtësia Ndërkombëtare nuk e ka kryer punën e vet.

Askush nuk ka të drejtë as ta mohojë të vërtetën se çfarë ka ndodhur në Kosovë. Shteti serb ka kryer gjenocid dhe duhet të përgjigjet”, tha ai.