Kryetari i deritashëm i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, sot ka finalizuar projektin e Sistemit Informativ Ligjor, i cili garanton transparencë maksimale për qytetarët.
Ky projekt i mbështetur nga Qeveria e Norvegjisë, sipas Veselit, Kuvendin e Kosovës e bënë kampion rajonal të transparencës.
Ai ka premtuar se si kryeministër kampione të transparencës do t’i bëjë të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës.
“Jam i lumtur që mandatin tim si kryeparlamentar e përmbylla me finalizimin e projektit të Sistemit Informativ Ligjor. Ky është një projekt shumë i rëndësishëm për jetën parlamentare dhe demokracinë tonë, pasi që garanton transparencë maksimale për qytetarët.
Është një model i suksesshëm i përdorimit të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit në shërbim të qytetarëve, i mbështetur nga Qeveria e Norvegjisë, që Kuvendin e Kosovës e bënë kampion rajonal të transparencës.
Si kryeparlamentar e kam promovuar gjithmonë qeverisjen elektronike si instrument kryesor që çon drejt rritjes së transparencës dhe llogaridhënies. Këtë arrita ta bëj në Kuvendin e Kosovës.
Si kryeministër do ta bëj në të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Veseli.







