Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se drejtësia duhet të shkojë në vend për vrasjen e vëllezërve Bytyçi.
Kështu ai u shpreh përmes një postimi në Facebook, ndërsa ka bërë të ditur se sot është takuar me vëllaun e të vrarëve nga familja Bytyçi, Ilirin.
Veseli tha se atij i ka ofruar përkrahjen e nevojshme që vrasësit të dalin para institucioneve të drejtësisë.
Ky është postimi i plotë i Veselit në Facebook:
Drejtësia duhet dhe do të vendoset në vend për vrasjen e Vëllezërve Bytyçi – Yllit, Agronit dhe Mehmetit, pjesëtarë të Batalionit “Atlantiku”. Sot takova vëllain e tyre, Ilirin, të cilit i ofrova gjithë përkrahjen e nevojshme që vrasësit të dalin para institucioneve të drejtësisë. Ne nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi për krimet e rënda që shteti i Serbisë kreu kundër qytetarëve të Kosovës.







