Veseli: Do të japin llogari ata që e zhdukën Xhavit Hazirin

Heroi i kombit Xhavit Haziri është një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ata që e rrëmbyen do të japin përgjegjësi.

Kështu tha Kadri Veseli, që ka udhëhequr legjislaturën e fundit të Kuvendit të Kosovës, në një akademi përkujtimore ku u kujtua dhe nderua jeta dhe vepra e heroit Xhavit Haziri, i cili u zhduk 21 vjet më parë.

Veseli tha se Xhavit Haziri me shokët e tij që kanë rënë në altarin e lirisë, ka rrëzuar një ndër perandoritë më të mëdha ushtarake në Evropë.

Ndonëse i munguar, ai tha se Xhavit Haziri asnjëherë nuk do të jetë i harruar. E me një historik të jetës dhe veprës të heroit Xhavit Haziri, u paraqit profesori Ibrahim Gashi, i cili tha se Haziri ishte një nga veprimtarët më të dëshmuar të UÇK-së.

Në emër të familjes Haziri, të pranishmëve iu drejtua djali i heroit, Çlirim Haziri.

Ai shprehu falënderime ndaj kryetarit të komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi dhe skulptorit Ylber Krasniqi për ngritjen e shtatores së të atit, heroit Xhavit Haziri.

“Të flas për babanë këtu para jush nuk mendoj se më takon mua, sepse të gjithë këtu në këtë sallë e keni njohur më shumë se unë. Unë sot do të flas për një njeri që e njoh më mirë se ju të gjithë në këtë sallë. Ajo është një heroinë për mua, ajo është nëna ime. Dua ta falënderoj sot nënën time që me mund e sakrificë na rriti mua dhe vëllain tim Shqipërimin dhe asnjëherë nuk u dorëzua, nuk u lodh me ne… Asnjë dëshmor, asnjë hero i kombit nuk do të ishin ata që ishin, sikur mos të kishin përkrah vetes nëna e gra si nëna ime këtu”, u shpreh ai.

Ndryshe, Xhavit Haziri u lind më 3 shtator 1960 në Druar të Vushtrrisë. Ai është nderuar me urdhrin “Hero i Kosovës”.

loading…